Kryetari i Shoqatës së Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë z. Aldrin Dalipi, zhvilloi një takim pune me z. Claus Neukirch, Drejtor i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë prej janarit 2017, me ftesë të këtij të fundit. Z. Neukirch mikpriti z.Dalipi dhe vlerësoi urat e bashkëpunimit dhe kontributin SHKQSH në proceset e konsultimit gjatë ndërtimit të VKM për Këshillin Konsultativ të Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjen Vendore, konstituimit të tij dhe veprimtarive të tjera në kuadër të reformimit të pushtetit vendor në Shqipëri.
Ai inkurajoi rritjen e rolit të Kryetarëve dhe anëtarëve të Qarqeve në Dhomën e Rajoneve të Delegacionit Shqiptar në Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.
Z.Dalipi, i uroi Z. Neukirch mirëseardhjen në Zyrën e Këshillit të Evropës në Tiranë dhe punë të mbarë në misionin e tij.
Dukë bërë një pasqyrim të punës së SHKQSH dhe 12 qarqeve anëtare të saj në periudhën pas reformës administrative territoriale, vuri theksin tek rëndësia e rolit të këshillave vendore dhe atyre rajonale në ruajtjen e demokracisë vendore dhe interesit më të lartë të qytetarëve.
“Si organe që gëzojnë votën popullore këto këshilla janë kontakti më i afërt i pushtetit vendor me qytetarin dhe i shërbejnë interesit më të lartë të tij. Përfshirja e Qarqeve, si organe kushtetuese të qeverisjes vendore, në të gjitha përpjekjet dhe diskutimet mbi zhvillimin rajonal dhe të sfidave të reja të pushtetit vendor do të sigurojë jo vetëm përfaqësim, por edhe transferim të njohurive dhe përvojave në territor”, u shpreh ai.
Duke vlerësuar krijimin dhe funksionimin e Këshillit Konsultativ të Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjen Vendore, z.Dalipi vlerësoi rolin që Këshilli i Evropës luajti për të siguruar gjithëpërfshirjen e aktorëve rajonalë në këtë organ konsultativ; diskutimi i draft ligjit për financat vendore, i pari dokument i diskutuar në Këshill i hapi rrugën një dialogu tanimë të konstituuar mes dy niveleve të qeverisjes në Shqipëri.
Gjatë bisedës z. Dalipi dhe z.Neukirch folën mbi ndryshimet pozitive dhe dinamike të qytetit të Tiranës dhe rëndësinë e përhapjes së modeleve të punës e urbanizimit nga qendra në periferitë e Bashkive në të gjithë vendin.
Në mbyllje të takimit z. Dalipi siguroi z.Neukirch për bashkëpunimin e SHKQSH dhe anëtarëve të saj, dhe shkëmbimet me Zyrën e Këshillit të Evropës në Tiranë dhe Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.