Në kuadër të “Javës Europiane të Rajoneve dhe Qyteteve” u zhvillua në Bruksel Konferenca “Sëbashku me fondet e BE, për ndërlidhje më të mira transporti”.
Eventi u fokusua në rolin e rajoneve dhe të qyteteve në komunikimin dhe zhvillimin e transportit (rrjetet trans-evropiane të transportit) dhe lidhjet ndërkufitare të transportit si atë rrugor, hekurudhor, ajror që ndikojnë në zhvillimin e territorit të rajoneve dhe qyteteve).
Në të ishin të pranishëm më shumë se 80 përfaqësues nga institucionet e BE-së, rajoneve të hapësirës Adriatiko-Joniane dhe të qyteteve të kësaj zone. Të pranishmit në këtë konferencë të rëndësishme diskutuan për rëndësinë e lidhjes së transportit në përgjithësi për zhvillimin ekonomik të rajoneve.
Kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi i ftuar për të marrë fjalën në këtë takim, njëkohësisht edhe si zv.President i EuroRajonit Adriatiko-Jonian, vlerësoi ndër të tjera se strategjia EUSAIR dhe plani i veprimit të shtyllës së saj të dytë “Ndërlidhja e Rajoneve dhe qyteteve” është një tjetër dokument i rëndësishëm dhe plan-veprimi që kontribuon fort në përmirësimin e ndërlidhjes në EuroRajonin Adriatiko-Jonian”.
“Tirana,-tha Aldrin Dalipi, tashmë është një nyje e rëndësishme për makrorajonin për modelin dhe inkurajimin për t’u zhvilluar përmes projekteve të përbashkëta europiane të komunikimit dhe për të afruar më shumë qytetarët dhe komunitetet tona”.
“Java Evropiane e Rajoneve dhe Qyteteve” është eventi më i madh në politikat rajonale dhe urbane të BE-së. Këtë vit, ky event shënoi edhe vitin e tij të 15-të të krijimit. Është një ngjarje ku analizat drejtohen njëkohësisht përpara dhe pas në kohë, ndërsa trajtohen sfidat që politikat rajonale dhe urbane të BE-së duhet të adresojnë,sot dhe gjatë viteve të ardhshme.