Nevoja për përmirësimin e shërbimit veterinar me qëllim rritjen e kontrollit tek blegtoria, ishte një nga temat e rëndësishme të mbledhjes së radhës të Këshillit Konsultativ të Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjen Vendore.
Gjatë mbledhjes u bë prezantimi nga zv/Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 10465, datë 29.09.2011 “Për Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Ndryshimet në projektligj propozojnë kalimin e varësisë dhe kompetencave mbi shërbimin veterinar nga bashkitë në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Nga kryetarët dhe nënkryetarët e bashkive pjesë e tryezës pati shumë diskutime mbi këtë projekt, duke e konsideruar atë si ndryshim që shkon drejt centralizimit dhe jo decentralizimit të pushtetit.
Gjithashtu u diskutua projektvendimi “Për Disa Shtesa Dhe Ndryshime Në Vendimin e Këshillit Të Ministrave Nr.452 Datë 11.07.2012 ‘Për Landfillet e Mbetjeve’”.
Kryebashkiakët prezent njëzëri e përshëndetën këtë ndryshim si reflektim i mendimeve të dhëna nga bashkitë në mbledhjet e mëparshme të Këshillit Konsultativ mbi këtë temë.
Përfaqësuesja e USAID, përgjegjëse për projektin për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore bëri në vazhdim një prezantim të Udhërrëfyesit për Hartimin e Rregullores nga Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore për Apelimin Tatimor në Nivel Vendor dhe mekanizmave që mundësojnë dhe lehtësojnë atë.