Shqipëria renditet e treta në Barometrin Botëror të Turizmit për periudhën janar-korrik 2023, me një rritje spektakolare prej 56 % në ardhjet e turistëve.
“Në këtë sezon është rezultat i një pune këmbëngulëse, i një përpjekjeje të madhe, por ama me siguri ne këtë vit në të gjitha rastet do ta prekim tavanin e 9 milionëve. Në vitin në vijim apo në 2-3 vitet në vijim është real dhe mund të kthehet në ‘boomerang’ nëse ne nuk do të jemi të përgatitur për të përballuar një kërkesë që padiskutim do të jetë më e madhe vitin e ardhshëm”, tha kryeministri Rama.
Investimet në infrastrukturë si ministrja Balluku ashtu dhe kryeministri mendojnë se janë komponentë thelbësorë për sektorin e turizmit.
“Puna për Korridorin më të rëndësishëm turistik që është Korridori Blu Adriatiko-Jonian ka nisur me segmentin e Thumanë-Kasharit. Janë drejt përfundimit marrëveshjet edhe për segmente të tjera. Praktikisht vitin e ardhshëm ne do të jemi në kantier për këtë korridor”, tha kreu i qeverisë.
Kryeministri u shpreh se “kjo arritje nuk do të ishte e mundur pa përkushtimin dhe punën e palodhur të gjithë këtyre viteve dhe veçanërisht të profesionistëve të industrisë sonë të turizmit”.