Përfaqësuesit e Këshillit të Qarkut Tiranë përshëndesin Konferencën e V–të Kombëtare “E drejta për Informin – Hapje, Transparencë, Digjitalizim”
Përfaqësuesit e Këshillit të Qarkut Tiranë morën pjesë sot në Konferencën e V-të Kombëtare “E drejta për Informin – Hapje, Transparencë, Digjitalizim” organizuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale me rastin e XV-ë vjetorit të krijimit të institucionit, me mbështjetjen e Këshillit të Europës dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe në Shqipëri.
Konferenca u çel me fjalën pershëndetëse të Komisionerit Z. Besnik Dervishi i cili u shpreh se takimi ishte një platformë për të forcuar bashkëpunimin dhe bashkëveprimin mes institucioneve dhe shoqërisë civile, si një faktor për rritjen e transparencës së autoriteteve publike shqiptare.
Ndërsa nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Znj.Ermonela Felaj u shpreh se Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale do të ketë përherë mbështetjen e institucionit të Kuvendit të Shqipërisë.
Ky aktivitet kombëtar kishte për qëllim të mblidhte, në formën e një tryeze diskutimi, kontributorët për garantimin dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.
Gjatë konferencës u bë një vlerësim i nivelit të zbatimit të deritanishëm të legjislacionit për të drejtën e informimit. Një vëmendje e veçantë ju kushtua dhe ligjit të ri “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik”, i cili plotëson kuadrin rregullator të kësaj fushe dhe do ndikojë në forcimin e transparencës së autoriteteve publike. Gjithashtu pjesë e punimeve të konferencës ishte dhe prezantimi i Konventës 205 të Keshillit të Europës “Për aksesin në dokumente zyrtare”.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të Këshillit të Ministrave, autoriteteve publike shqipëtare, përfaqesive diplomatike në Shqipëri, media, përfaqësues të shoqërisë civile dhe koordinatorët për të drejtën e informimit pranë autoriteteve publike.