Tirana feston sot 78-vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit nazifashistë. Në ceremoninë e vendosjes së kurorave te “Partizani I Panjohur”, organizuar nga Bashkia e Tiranës, ishin të pranishëm kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ministra të qeverisë kryebashkiaku Erion Veliaj, Kryetari i Këshllit të Qarkut Tiranë Aldrin Dalipi, Prefektura e Qarkut Tiranë si dhe personalitete të tjera të shtetit.
Në fjalën e tij, Veliaj tha se vetëm kur jemi bashkë, njësoj si kundër pushtuesit, ne mund të ringrihemi më të fortë, edhe kur na kërcënojnë fatkeqësi si tërmeti, pandemia apo lufta në Ukrainë.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla u shpreh krenare që Shqipëria u rreshtua në anën e duhur të historisë: “Çdo komb çlirohet me përpjekjet e veta thoshte i madhi Fan Noli dhe djemtë dhe vajzat e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë luftuan lagje më lagje, rrugë më rrugë, barrikadë më barrikadë për të çliruar Tiranën duke shënuar dhe një pikë kulmore drejt çlirimit të gjithë Shqipërisë.”
Në emër të Këshillit të Qarkut Tiranë, Kryetari Dalipi vendosi kurorë në momumentin “Ushtari i Panjohur”.
Në ceremoninë e 78-vjetorit të Çlirimit të Tiranës ishin të pranishëm personalitete te autorieteve lokale dhe deputetë të Kuvendit, ministra, veteranë të LANÇ si dhe qytetarë të cilët kanë vendosur kurora me lule te Ushtari i Panjohur për të nderuar ata që dhanë jetën në luftë kundër fashizmit.