Ditën e sotme u zhvillua takimi i Task-Forcës Vendore në nivel Qarku, për analizën 6-mujore të punës së kryer, në lidhje me parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike organizuar nga Prefekti i Qarkut, znj.Suzana Jahollari.
Institucioni i Këshillit të Qarkut Tiranë u përfaqësua nga Nertila Ndreu, N/Kryetare e Këshillit të Qarkut. Në këtë takim morën pjesë: Dhimitraq Ziu, Zv/Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, N/kryetarët e Bashkive Kamëz dhe Kavajë, Shefi i Sektorit të Emergjencave Civile të Bashkisë Tiranë, si dhe përfaqësues të tjerë nga institucionet, anëtarë të Task-Forcës Vendore.
Fillimisht u evidentua intensifikimi i takimeve të zhvilluara në kuadrin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional, me gjithë situatën e vështirë të krijuar për arsye të pandemisë.
Më pas u paraqit një prezantim i shkurtër nga Përgjegjësi i Sektorit të Monitorimeve, për periudhën 6-mujore të punës, mbi rezultatet e arritura, raportimet, problematikat, si dhe detyra dhe konkluzione për të ditët në vijim.
Vlen te theksohet se në lidhje me rezultatet pozitive, janë evidentuar 9 raste të reja për 6 muaj si dhe 776 raste të asgjësuara.
Më tej përfaqësues të Task-Forcës Vendore diskutuan për realizimin e detyrave për këtë 6-mujor dhe zbatimin e këtij Plan-Veprimi për muajt në vazhdim.
Duke pasur në qendër të vëmendjes se viti 2020 është viti i fundit i Planit të Veprimit kundër Kanabisit, u la si detyrë të vazhdohet puna për intensifikimin e kontrolleve në terren dhe sensibilizim të banorëve, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale për kultivim të bimëve narkotike.
Objektivi kryesor është 0 rrënjë bimë narkotike në territorin e Qarkut Tiranë.