Solidariteti i miqve dhe partnerëve të Shqipërisë për pasojat që la tërmeti i pak ditëve më parë ka qenë prezent çdo ditë.
Presidenti i Konferencës së Rajoneve Periferike dhe Detare (CPMR), z. Vasco Cordeiro i ka dërguar një letër kryetarit të Qarkut të Tiranës, z. Aldrin Dalipi ku i shpreh solidaritetin e plotë për punën që po bëhet për të përballuar vështirësitë e krijuara nga tërmeti i datës 21 shtator.
Në krye të letrës zoti Cordeiro në emër të të gjithë rajoneve dhe Sekretares së Përgjithshme shpreh mbështetjen e plotë dhe gjendet pranë vendit tonë.
“Në emër të të gjithë rajoneve anëtare, Sekretariatit të Përgjithshëm të CPMR-së, Sekretares së Përgjithshme të saj, Eleni Marianou, dhe në emrin tim, më lejoni të shpreh solidaritetin tonë të plotë teksa përballoni punën e vështirë pas tërmetit në rajonin tuaj dhe pasojat e këtyre incidenteve”, shkruan zoti Cordeiro.
Më tej ai vijon:” Mendimet tona janë gjithashtu me njerëzit të cilët u preken drejtpërdrejt nga pasojat e tërmetit dhe me njerëzit që po ndërmarrin operacione të vështira për të marrë situatën nën kontroll”.
Letra mbyllet me vlerësimin për njerëzit dhe institucionet që me vendosmëri dhe guxim po e kalojnë këtë fatkeqësi natyrore dhe uron që më e keqja të ketë kaluar.
Konferenca e Rajoneve Periferike dhe Detare (CPMR) është një organizatë që përfshin mbi 160 rajone në të gjithë Europën dhe Këshilli i Qarkut Tiranë është anëtarësuar me të drejta të plota në nëntor të vitit 2015 ku kryetari i Qarkut, zoti Aldrin Dalipi është anëtar i Byrosë Politike të Komisionit për Ballkanin dhe Detin e Zi të CPMR.