Këshilli i Qarkut Tiranë vlerësoi me titullin “Mirënjohje e Qarkut Tiranë”, me motivacionin “Për kontributin e çmuar në rend, sigurinë publike, si pedagog dhe nëpunës i devotshëm i shtetit, model në komunitet”, ish-doktorin e Shkencave Sofokli Duka, njëherazi dhe ish-drejtues i lartë në Policinë e Shtetit, i cili u nda nga jeta para kohe.
Gjatë një takimi vlerësues për figurën dhe kontributin e dr. Sofokli Dukës, ku morën pjesë deputetë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Ardi Veliu, Drejtori i Akademisë së Sigurisë, z. Bilbil Mema, drejtori i Policisë për Qarkun Tiranë, z. Rebani Jaupaj, kolegë, miq, shokë e dashamirës, janë mbajtur kumtesa të shumta.
Kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, z. Aldrin Dalipi theksoi se shoqëria jonë ka shumë nevojë për të respektuar njerëzit me vlera që kanë dhënë kontribute të çmuara aq më tepër kur ata nuk jetojnë më.
Në fund të takimit, zoti Dalipi u ka dorëzuar familjarëve titullin e nderit të akorduar nga Këshilli i Qarkut Tiranë.
Ky titull për ish-drejtuesin e lartë të Policisë së Shtetit, nuk është krenari vetëm për familjen e tij, por për gjithë punonjësit e Policisë.