Këshilli i Qarkut Tiranë organizon Forumin për “Politikat e BE dhe mundësitë e bashkëpunimit në territorin e BE, të fokusuara në teknologjinë, inovacionin dhe rininë e hapësirës Adriatiko-Joniane”
Për dy ditë me radhë zhvillohet në Tiranë me mbështetjen e Këshillit të Qarkut Tiranë konferenca prezantuese e nismës AI-NURECC.
Rrjeti Adriatiko-Jonian i Universiteteve, Rajoneve, Dhomave të Tregtisë dhe Qyteteve dhe Rajonit të Tiranës, anëtare e Konferencës së Rajoneve Detare Periferike pati në fokus të forumit “Politikat e BE-së dhe mundësitë e bashkëpunimit rajonal me fokus Teknologjinë, Inovacionin dhe Rininë në zonën Adriatiko-Joniane”, zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal në funksion të një komunikimi të ndërsjellë mes vendeve.
Në fjalën e tij të hapjes kryetari i Qarkut të Tiranës, zoti Aldrin Dalipi u shpreh se “qëllimi i këtij projekti është të punojmë të gjithë bashkë me përkushtim europian, për standardet më të mira për qytetarët tanë”.
Më tej në fjalën e tij ai shpjegoi se çfarë sjell ky projekt dhe ku synohet të arrihet në dy ditët e konferencës që po mbahet në vendin tonë.
“Objektivi kryesor i AI-NURECC është promovimi i një dialogu të strukturuar dhe një bashkëpunimi sa më efektiv ndërmjet Autoriteteve Rajonale dhe Lokale, Universiteteve, Dhomave të Tregtisë, shoqatave dhe rrjeteve rinore, sipërmarrësve dhe shoqërisë civile, ku secili nga aktorët do të ketë përfaqësuesit e tyre në këto dy dite të eventit”.
Nga ana e saj koordinatorja e projektit, zonja Eleni Marianou vlerësoi në ditën e parë të konferencës se “të gjithë aktorët publikë në nivel qendror dhe lokal, ata privatë, universitetet dhe shoqëria civile do të bashkëpunojnë në këtë nismë konkrete shumë të rëndësishme rajonale”.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Andi Seferi theksoi se Tirana po punon fort për zhvillimin teknologjik dhe po kthehet në një qendër rajonale. “Ne si Bashki e Tiranës mirëpresim dhe përshëndesim nisma të tilla, dhe jemi gati të bashkëpunojmë në rang rajonal”, u shpreh Seferi.
I pranishëm në tryezë Dr.Nevenko Herceg, kryeministër i kantonit Hercegovina-Neretva në Bosnje-Hercegovinë tha “koha që jetojmë kërkon përgjigje të koordinuara. Këto përgjigje varen nga bashkëpunimi ynë rajonal. Gati të ofrojmë kontributin tonë”.
Ndërsa Zv/Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, zonja Ornela Çuçi theksoi se dy prioritete bazë të dikasterit që ajo përfaqësonte ishin zhvillimi i një turizmi gjithëvjetor dhe mbrojtja e mjedisit, që mund të bëhet në bashkëpunim me vendet e rajonit.
“Ne i kemi dhënë rëndësi të veçantë zhvillimit të turizmit, si një fushë rajonale të zhvillimit ekonomik, dhe po ashtu mbrojtjes së mjedisit. Nisma të tilla ndihmojnë në koordinimin tonë rajonal”, u shpreh Çuçi.
Znj. Tatiana Boskovic, drejtuese nga Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi tha: “Vendi ynë po punon në mënyrë të koordinuar për të dhënë kontribut konkret në nismat rajonale. Në këtë mënyrë ne mund të arrijmë integrimin e rajonit tonë në Bashkimin Evropian.”
Ndërsa ambasadorja e Kroacisë në Shqipëri, zonja Sanja Bujas Juraga përshëndeti nismën rajonale dhe theksoi se “garantojmë bashkëpunim si në nivel shtetëror (qendror) ashtu edhe në nivel lokal. Turizmi është një nga fushat ku bashkëpunimi rajonal mund të thellohet edhe më tej.”
Ligjvënësi shqiptar, Anastas Angjeli, gjithashtu president nderi i Universitetit Mesdhetar tha se: “Tregu dixhital, mundësi të pafundme zhvillimi. Propozoj një platformë dixhitale universitare rajonale, ku studentët e rajonit tonë të mund të lidhen, komunikojnë e bashkëpunojnë.” AI-NURECC është një nismë e cila synon të mbështesë Strategjinë e Bashkimit Europian për nxitjen e një bashkëpunimi më efektiv ndërmjet Autoriteteve Rajonale dhe Lokale, Universiteteve, Dhomave të Tregtisë, shoqatave dhe rrjeteve rinore, sipërmarrësve dhe shoqërisë civile duke siguruar mbulim të thellë dhe të gjerë territorial, në nivel rajonal dhe lokal.
Forumi i sotëm organizohet për herë të parë në Shqipëri nga Konferenca e Rajoneve Detare Periferike të Europës që përfshin 160 rajone në bashkëpunim me Qarkun e Tiranës. AI-NURECC përfshin 5 partnerë të rëndësishëm si Konferenca e Rajoneve Detare Periferike (CPMR), Eurorajoni Adriatiko- Jonian (AIE), Forumi i Qyteteve të Adriatikut dhe Jonit (FAIC), Forumi i Dhomave të Adriatikut dhe Jonit e Tregtisë (Forum AIC), dhe Rrjeti i Universiteteve Adriatiko-Joniane (UniAdrion).
Kjo nismë e shtrin efektin e saj në 8 vende të rajonit, ku 4 prej tyre janë shtete anëtare të BE-së: Italia, Sllovenia, Kroacia, Greqia, Bosnje-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Shqipëria.
Forumi dy ditore përcakton një politikë më të gjerë dhe strategjinë në nivel evropian në politikat e teknologjisë, inovacionit dhe rinisë. Në dhjetor, ky event do të vazhdojë prezantimin e tij në Beograd, dhe në fillim të vitit të ardhshëm në Bruksel në Komitetin e Rajoneve të Europës.
© 2022 Created by AppAlbania