Nga rrugët me çakull e gropa pa fund, ku mungonte thuajse çdo element i zhvillimit urban, blloku i banimit “Frederik Shiroka” në Njësinë 7 po merr një pamje krejt të re.
Projekti i rikualifikimit të plotë urban i kësaj zone u siguron banorëve të lagjes rrugë më mira, trotuare, hapësira rekreative, si dhe një kënd lojërash për fëmijë.
Gjatë inspektimit të punimeve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se këtë vit fokusi do të jetë tek investimet në çdo lagje e periferi të kryeqytetit.
“Njësia 7 është ndoshta një nga njësitë më të populluara, ndoshta një qytet i dytë pas Tiranës, ndaj fakti që blloku “Frederik Shiroka” e nis me këmbë të mbarë këtë vit të ri, besoj se është një lajm i mirë për të gjithë banorët. Puna fillon në zemër të Tiranës dhe mbaron në periferi, deri te Dogana ose Terminali i Autobusëve. I kemi marrë blloqet mbarë”, tha ai.
Veliaj vuri theksin tek mbështetja buxhetore e këtij viti për investime të tilla dhe falënderoi banorët të cilët kanë qenë bashkëpunues për të liruar hapësirat e zaptuara.
Kryebashkiaku theksoi rëndësinë e investimeve në Njësinë 7, e cila është jo vetëm një nga zonat më të populluara të kryeqytetit, por edhe një nga njësitë që ka përfituar më shumë inverstime gjatë këtyre viteve të fundit.
“Duke ruajtur këtë balancë do të vazhdojmë bllok më bllok; besoj që Njësia 7 ka parë në këto 4 vite një rekord investimesh, që do të vazhdojnë edhe në mandatin tjetër. Sigurisht, me të pestin, siç e kemi nisur, deri në fund të qershorit, për t’u siguruar me banorët që siç kemi punuar ditën e parë, kemi punuar deri ditën e fundit”, u shpreh kreu i Bashkisë.
Kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi falenderoi bashkinë për vëmendjen që i ka kushtuar kësaj njësie, ndërsa tha se Këshilli do të vazhdojë të mbështesë çdo investim.
“Ky është një investim i mirëpritur. E falenderoj kryetarin e Bashkisë dhe skuadrën e tij, si përfaqësues i Njësisë 7 në Këshillin Bashkiak. Ajo që shohim ne në këto vite është se njësia është prekur në çdo cep të saj, kështu që do të vazhdojmë edhe në Këshillin Bashkiak të mbështesim bashkinë, që në gjithë Tiranën të vazhdojë investimet e veta”, tha Dalipi.