Forcimi i kapaciteteve të pushtetit lokal dhe përmirësimi i shërbimeve që ato ofrojnë ishin në fokus të takimit të zhvilluar sot ku u prezantua projekti Helvetas “BASHKI TË FORTA”.
Prezent në këtë tryezë ishin kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, z. Aldrin Dalipi, Prefekti i Qarkut Tiranë, znj. Suzana Jahollari, përfaqësues nga 5 bashkitë e Qarkut Tiranë, shoqëria civile, etj.
Ky takim u drejtua nga z. Jackues Merat si drejtues i projektit dhe nga grupi i oficerëve që do të ndjekin zbatimin e projektit për çdo qark.
Qëllimi i këtij projekti është prezantimi me Strategjinë Kombëtare Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore 2014-2020, ligjin “Për vetëqeverisjen vendore” dhe ligjin “Për financat e vetëqeverisjes vendore”.
Gjatë bisedimeve u theksua nevoja për menaxhimin e kapaciteteve bazuar në performancë dhe forcimin e mëtejshëm të tyre.
Kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës vlerësoi projektin në çdo hap të hedhur në drejtimin e trajtimit të çështjeve që lidhen me procesin e decentralizimit, rezultatet apo konkluzionet për punën e bërë nga qeverisja vendore, 3 vite pas aplikimit të ligjit përkatës.
Gjatë fjalës së tij zoti Dalipi theksoi se instrumenti i votës sw deleguar nëpërmjet përfaqësimit të qytetarëve në Këshillin Bashkiak duhet përdorur me shumë përgjegjësi dhe ka ardhur koha tashmë që 3 vite pas miratimit të ligjit, fokusi të fillojë të përqendrohet nga organizatat ndërkombëtare në rolin, kapacitetin dhe performancën e Këshillave Bashkiak dhe partnerët e tjerë.
Ai theksoi se një çështje tjetër që duhet adresuar me shumë seriozitet është njohja më tej e organeve përfaqësuese (Këshilli Bashkiak) me ligjin e financave vendore.
Fokus të veçantë kishin gjithashtu menaxhimi i mbetjeve urbane, arsimi parashkollor, monitorimi i performancës së bashkive si dhe trajnimet për çdo përfaqësues dhe mbikëqyrës të këshillave bashkiakë.