Shqipëria është tashmë një vend i sigurt dhe ka pësuar ndryshime rrënjësore në sigurinë publike, sipas Komandantit të Përgjithshëm të Guardia di Finanza, Giorgio Toschi, i cili ka vlerësuar ministrin e Brendshëm dhe policinë shqiptare.
“Qyteti dhe vendi juaj i bukur është shumë më i sigurt se kurrë më parë”, tha ai.
Në një takim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj Komandanti Toschi vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer në këto vite mes policisë shqiptare dhe asaj italiane në fushën e sigurisë, ku tashmë vendi ynë është partner i besueshëm në luftën ndaj kriminalitetit.
Në shenjë miqësie, Veliaj i dorëzoi Komandantit të Përgjithshëm të Guardia di Finanza edhe “Çelësin e Qytetit”. “Po jua dorëzoj Çelësin e qytetit të Tiranës sepse ju konsiderojmë pjesë të shtëpisë sonë, dhe me një miqësi të vërtetë dhe vlerësim për “Guardia di Finanza”, për vullnetin për të ecur përpara së bashku, jo si inferiorë, por si partnerë. Ju falenderoj vërtet! Tani kemi një qytet që është edhe më i sigurt dhe besoj se kjo është edhe meritë e juaja, sepse ka gjëra që mund t’i bësh i vetëm, por ka edhe gjëra, si krimi ndërkombëtar, që nuk mund t’i bësh ballë i vetëm, nëse nuk ke miq të vërtetë. Ju jeni një mik i vërtetë, ju vlerësoj shumë”, tha Veliaj.
Giorgio Toschi e cilësoi domethënës nderimit që i bëhet atij dhe “Guardia di Finanza”-s nga Bashkia e Tiranës. Ai theksoi se të dy vendet janë të impenjuara maksimalisht për të bashkëpunuar, ndërsa theksoi se gjithnjë e më shumë e vlerëson dhe e adhuron Tiranën.
“Jam jo vetëm krenar për marrjen e këtij çelësi, pasi ndër të tjera është edhe bukur, por edhe për domethënien dhe vlerën që përfaqëson ky çelës. E përsëris se kam fatin që të jem Komandant i Përgjithshëm në një moment të tillë, ku gjendemi në maksimumin e impenjimit tonë, edhe sa i takon aspektit të bashkëpunimit, por edhe konstatimeve, pasi qyteti dhe vendi juaj i bukur është shumë më i sigurt se kurrë më parë. Ndihem shumë i lidhur, pasi prej 22 vitesh ndjek këto misione. Ndaj është edhe një kënaqësi e madhe personale sepse me këtë çelës do të hap figurativisht portat e këtij qyteti që vlerësoj dhe adhuroj gjithnjë e më shumë”, u shpreh Toschi.