Shkronjat e emrit të aktores virtuoze shqiptare Drita Pelinku (Nderi i Kombit) u gdhendën në fasadën e një prej shkollave të kryeqytetit.
Pas vendimit të Këshillit Bashkiak të datës 26 korrik 2018, shkolla 9-vjeçare publike “Sabaudin Gabrani” 2, e ndodhur në rrugën “Sali Butka” Njësia Administrative nr. 7, Tiranë, i jepet emri “Drita Pelinku”.
Për të uruar nxënësit dhe stafin e mësuesve, në ditën e parë të vitit të ri shkollor, ishte i pranishëm kryetari i Qarkut dhe Këshillit bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi.
Ai vlerësoi aktoren si një nga ikonat e skenës shqiptare dhe uroi nxënësit për një vit të suksesshëm shkollor. Dalipi i ftoi ata që përpos aktivitetit shkollor, pas mësimit të shfrytëzojnë mjediset e shkollës për aktivitete komunitare.
“Nder që shkolla tashmë mban emrin e aktores së madhe të kinematografisë dhe teatrit shqiptar”, u shpreh zoti Dalipi.
Emri i aktores dhe pedagoges së shquar është mirëpritur jo vetëm nga nxënësit e prindërit, por edhe kolektivi i mësuesve.
Drita Pelinku (1926-2013) ka qenë aktore në Teatrin Kombëtar dhe ka një numër të madh rolesh e kryerolesh nga dramaturgjia botërore e ajo kombëtare si dhe në filmin artistik shqiptar. Vënia e emrit të saj një shkolle të kryeqytetit vjen në 5-vjetorin e ndarjes së saj nga jeta, më 2 tetor 2013.