EU Transit Albanian Farm mblodhi në një tryezë diskutimi përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshillit të Qarkut Tiranë, Bankës Amerikane të Investimeve, shoqatës “ Njerëz dhe Ide” Risi Albania dhe disa biznese që operojnë në sektorin e bujqësisë.
Kjo tryezë vjen pas një bashkëpunimi efektiv të Këshillit të Qarkut Tiranë me EU Transit Albanian Farm, me qëllim nxitjen e investimeve dhe prodhimeve vendase, bashkëpunim i cili u finalizua me aktivitetin e zhvilluar vitin e shkuar në fshatin Hekal, të njësisë administrative Petrelë.
Këshilli i Qarkut Tiranë shprehu vullnetin për të mbështetur EU Transit Albanian Farm 2018 pasi zhvillimi i biznesit vendas, i turizmit si dhe mbështetja e të rinjve sipërmarrës janë pjesë thelbësore e strategjisë së zhvillimit rajonal.
Agrobiznesi është një sektor prioritar për ekonominë e vendit tonë. Ai përbën rreth 20% të GDP-së së vendit. 56 % e popullsisë është e vendosur në zonat rurale e cila përbën rreth 60 % e forcës punëtore.
EU Transit Albanian Farm 2018 do të realizojë disa aktivitete gjithëpërfshirëse në disa nga fshatrat e Shqipërisë me turistë vendas e të huaj për të promovuar biznesin vendas dhe agroturizmin. Objektiv i saj është krijimi i një rrjeti prej afro 70 sipërmarrësish të huaj dhe vendas.
Gjatë mbledhjes u diskutuan sfidat e shumta të biznesit vendas dhe pamundësitë për të furnizuar tregjet europiane me produkte konkurruese në cilësi, kosto, dhe marketing.
Pjesë e tryezës ishin edhe diskutimet në lidhje me Skemën Kombëtare të Mbështetjes për Bujqësinë dhe Zhvillimin rural 2018.