Ditën e sotme u zhvillua mbledhja e Komitetit Rajonal për Luftën Kundër Trafikimit Njerëzor, e thirrur nga Prefektja e Qarkut të Tiranës, Znj. Suzana Jahollari, në cilësinë e Kryetarit të këtij komiteti.
Pjesëmarrës në këtë mbledhje ishin zv. Ministrja e Brendshme znj. Rovena Voda, si dhe drejtues të institucioneve si Bashkia Tiranës, Këshilli i Qarkut Tiranë, Prokuroria e Rrethit Tiranë, Drejtoria e Policisë së Qarkut të Tiranës, SHISH, Drejtoria Rajonale e Punësimit, Drejtoria Rajonale të Arsimit dhe Drejtoria Arsimore e Qarkut Tiranë si dhe organizatat “Të ndryshëm të Barabartë” dhe “Caritas Albania” etj.
Në këtë tryezë, Këshilli i Qarkut Tiranë, u përfaqësua nga zv.kryetarja znj. Bora Panajoti dhe drejtoresha juridike Znj. Matilda Kita.
Qëllimi i tryezës ishte bashkëpunimi ndër-institucional për luftimin e fenomenit të trafikimit i cili është tepër prezent në Qarkun e Tiranës. Detyrat e synuara për këtë mbledhje ishin:
1.Miratimi i rregullores së brendshme për organizimin dhe funksionimin e Komitetit Rajonal Kundër Trafikimit të Personave.
2.Evidentimi i problemeve të ndeshura si dhe diskutime për fushata të përbashkta sensibilizuese.
3.Përcaktimi i detyrave dhe masave që do të merren në zbatim të Strategjisë Kombëtare kundër Trafikimit Njerëzor.
4.Përcaktimi i anëtarëve të Tryezës Teknike.
Në fjalën e saj, znj. Bora Panajoti, zv.kryetare e Këshillit të Qarkut Tiranë, theksoi edhe në emër të kryetarit, zotit Dalipi, vlerësimin për këtë tryezë si një moment i rëndësishëm i bashkëpunimit dhe ndjekjes me përgjegjësi të fenomenit të trafikimit në qarkun e Tiranës, me qëllim marrjen e masave për parandalimin e këtij fenomeni negativ. Prej dy vitesh, Këshilli i Qarkut të Tiranës, ka një bashkëpunim konkret me organizatën “Të ndryshëm, të Barabartë”, i cili është një shembull kombëtar për mënyrën e funksionimit të tij. Vazhdojmë trajtimin e rasteve me shumë kujdes dhe përgjegjshmëri dhe shumë prej këtyre rasteve kanë arritur të rehabilitohen plotësisht. Vetëm në vitin 2017 janë trajtuar 60 raste, gra dhe vajza viktima të trafikimit dhe të dhunës në familje.
© 2022 Created by AppAlbania