Me mbështetjen e Eurodeputetit Ivan Jakovčić u themelua në Bruksel në fillim të nëntorit, grupi joformal i Parlamentit Evropian “Miqtë e EUSAIR“ në mbështetje të progresit të strategjisë makrorajonale. “Miqtë e EUSAIR“ përbëhet nga 17 Eurodeputetë nga grupime të ndryshme politike nga Vendet Anëtare.
Tryeza e mbajtur në ambientet e Parlamentit Evropian, solli bashkë përfaqësues të rajoneve anëtarë dhe organizatave lokale dhe ndërkombëtare të rajoneve që operojnë në makrorajonin Adriatiko Jonian.
Z.Aldrin Dalipi në cilësinë e zv.Presidentit të Eurorajonit Adriatiko Jonian ishte pjesë e punimeve të kësaj tryezë ku u theksua nevoja për përshpejtimin e financimeve dhe projekteve konkrete të planit të veprimit të EUSAIR dhe përfshirjen e qenësishme të 4 vendeve jo anëtare të makrorajonit Adriatiko Jonian në këto procese dhe gjithë procesin e integrimit ne BE.
Nisma e eurodeputetit Jakovčić u mbështet nga Komisioni Evropian nëpërmjet znj.Lena Andersson Pench, Drejtore për Bashkëpunimin Territorial Evropian dhe Makrorajonet në përfaqësues në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Rajonale dhe Urbane e cila ritheksoi rëndësinë e përfshirjes të aktorëve nga vendet jo anëtare në vendimmarrjet mbi strategjinë.
Tryeza u adresua edhe nga Presidenti i Eurorajonit Adriatiko Jonian Z. Nikola Dobroslavić, Z. Paolo Di Laura Fratura, President i Grupit Ndër-rajonal në Komitetin e Rajoneve ne Komisionin Evropian, Znj.Eleni Marianou, Sekretare e Përgjithshme e CPMR, përfaqësues të Forumit të Qyteteve Adriatiko Joniane dhe Forumit të Dhomave të Tregtisë Adriatiko Joniane.
Për më shumë mbi “Miqtë e EUSAIR” ndiqni lidhjet me Eurorajonin Adriatiko Jonian.