Këshilli i Qarkut Tiranë në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara ka nisur zbatimin e projektit: Ofrimi i shërbimit të karrigeve me rrota për personat me aftësi të kufizuara”.
Mungesa e ofrimit të shërbimit të karriges me rrota i izolon ata në banesa dhe u mohon aksesin në shërbime jetike.
Ofrimi i këtij shërbimi vlerësohet të jetë parakusht për integrimin e personave me aftësi të kufizuara në komunitet. Nisur nga rritja e numrit të rasteve të personave me aftësi të kufizuara në nevojë për shërbimin e karrigeve me rrota në Qarkun Tiranë, midis Institucionit të Këshillit të Qarkut Tiranë dhe Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara u lidh marrëveshja e bashkëpunimit të ndërsjelltë për kryerjen e aktiviteteve të Projektit.
Qëllimi i këtij projekti është rritja e cilësisë së jetës për personat me aftësi të kufizuara përmes ofrimit të shërbimit të karrigeve me rrota, sipas nevojave specifike të tyre e në përputhje me standardet e OBSh.
Mbështetja për ofrimin e shërbimit të karrigeve me rrota për njerëzit me aftësi të kufizuar do të realizohet sipas disa fazave si: Identifikimin e personave me aftësi të kufizuara në nevojë për karrige me rrota; Realizimin e vlerësimit fizioterapeutik në familje; Shërbim për përshtatjen e karrigeve me rrota; Pajisja e individëve me aftësi të kufizuara me karrige me rrota; Shërbim trajnimi dhe asistim i vazhdueshëm i individëve dhe familjarëve të tyre për përdorimin dhe mirëmbajtjen e karriges me rrota; Bashkëpunim me zyrat e shërbimit social në nivel qarku dhe bashkie.