Mbështetja e të rinjve, biznesit vendas, turizmit, por edhe agri-kulturës, si mundësi reale për zhvillimin e zonave rurale dhe ekonomisë së kryeqytetit, janë shpallur disa nga prioritetet kryesore të rajonit të Tiranës.
Për këtë qëllim në fshatin Hekal të njësisë administrative Petrelë u zhvillua takimi “EU Transit –Tirana Farm”, me objektiv gjetjen e partnerëve dhe rritjen e mundësisë për bashkëpunim ndërmjet sipërmarrësve të rinj në vendin tonë dhe vendeve të tjera evropiane.
“Tirana Farm” është menduar të jetë modeli i një smart village, model i cili bën bashkë prodhimin lokal, tregun dhe konsumatorin, jo vetëm të produkteve por edhe vlerat historike dhe tradicionale të fshatit tonë. Ajo është ura lidhëse e prodhuesit jo vetëm me pazarin e ri, por me të gjitha tregjet që po standardizohen në Tiranë duke qenë një mundësi e mirë për të rritur ekonominë në zonat rurale.
Kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi tha se “Tirana Farm” është një model i cili do të replikohet në zonat e periferisë së bashkisë por dhe rajonit të Tiranës duke u bërë promotore për ndryshim dhe zhvillim.
“Për modele të tillë të rinjtë kanë shumë nevojë ndaj ne do mbështesim në vazhdim çdo projekt që inkurajon ata në zonat rurale”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se Bashkia do të vazhdojë punën për nxitjen e prodhimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale vendase dhe konsumimin e tyre në tregun vendas, si një mënyrë e mirë për zhvillimin e ekonomisë lokale.
Për këtë qëllim, ai kërkoi që edhe qytetarët e Tiranës të synojnë të blejnë produktet bio të zonave të Tiranës, pasi vetëm kështu konsumojnë një produkt të shëndetshëm, por edhe ndihmojnë ekonomitë e zonave përreth.
Kryebashkiaku theksoi se Bashkia e Tiranës po punon që të investojë jo vetëm në Tiranën qendër, por dhe në zonat përreth saj.