Në ambientet e Këshillit të Qarkut Tiranë, u zhvillua sot takimi për evidentimin e fondit të tokës bujqësore dhe kategorive të tjera të resursit për vitin 2016.
Nën drejtimin e kryetarit të Këshillit të Qarkut, z. Aldrin Dalipi dhe nënkryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Andi Seferi si dhe me pjesëmarrjen e kryetarëve të njësive administrative të Tiranës, u diskutuan problematikat e hasura në evidentimin e tokës bujqësore dhe projektet për të përmirësuar situatën.
Të pranishmit, theksuan se evidentimi dhe përditësimi i të dhënave për tokën bujqësore dhe kategorive të tjerave të resurseve është domosdoshmëri që duhet marrë shumë seriozisht nga çdo njësi administrative dhe informacioni është detyrim ligjor deri dhe në nivel ngastre.
Në takim u shtrua nevoja për krijimin e sistemit të informacionit mbi tokën dhe integrimin gradual në sistemin GIS për të gjitha resurset që ka në administrim qarku. Kreu i Qarkut Tiranë, theksoi se një kadastër moderne merret sot me informacionin e detajuar në nivelin e parcelës individuale të tokës, ndërkohë që sistemet e regjistrimit dhe sistemet kadastrale mund të integrohen me njëri-tjetrin për sa kohë që pronësia, vlera dhe përdorimi, edhe pse janë koncepte të ndryshme janë të ndërvarura në praktikë.
Për këtë u propozuan disa zgjidhje, më e thjeshta për t’u aplikuar do të ishte që ZVRPP të dërgojë në DAMT Hartën e Pasurive të Paluajtshme dhe më pas ndarja e parcelave të pasurive për të krijuar Hartën e Përdorimit të Tokës .