Më datën 15 shkurt 2017 u zhvillua mbledhja e parë e Këshillit Konsultativ të Qeverisjes Qendrore dhe Vetëqeverisjes Vendore, i ngritur në janar të këtij viti. Këshilli Konsultativ diskutoi mbi projektligjin e ri për financat vendore, që përbën një nga ligjet më të rëndësishme për funksionimin dhe vazhdimësinë e reformës administrative-territoriale.
Të pranishëm ishin ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, z.Bledi Çuçi, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe kryetar i Shoqatës për Autonomi Vendore, z.Erion Veliaj, kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë dhe kryetar i Shoqatës së Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë, z.Aldrin Dalipi dhe anëtarë të bashkive dhe këshillave të qarqeve të vendit.
Të pranishmit vlerësuan rolin e Këshillit Konsultativ të Qeverisjes Qendrore dhe Vetëqeverisjes Vendore si një instrument kyç në dialogun me qeverisjen vendore, duke u nënvizuar se ligji i ri për financat vendore do të reflektojë të gjitha propozimet dhe sugjerimet e qeverisjes vendore.
Gjithashtu u theksua dhe roli i këshilltarëve në nivel vendor si një instrument i rëndësishëm për transparencë dhe vendimmarrje të drejtë.
Ministri Çuçi u shpreh se ligji i ri për financat vendore pritet të miratohet brenda kësaj legjislature. “Ligji i ri për financat vendore do t’i nënshtrohet diskutimeve, do e miratojmë në qeveri, qeveria e dërgon në Parlament dhe shpresojmë që brenda këtij sesioni parlamentar ta miratojmë”, u shpreh ai.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës njëherësh kryetar i Shoqatës për Autonomi Vendore, z.Erion Veliaj deklaroi se me reformën administrative-territoriale, Bashkitë kanë marrë edhe më shumë kompetenca.
Sipas tij, është e rëndësishme tashmë dhe rishikimi i mënyrës së financimit të këtyre njësive vendore duke pasur një ligj shumë herë më fleksibël.
Kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë dhe kryetar i Shoqatës së Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë, z. Aldrin Dalipi theksoi se “projektligji duhet të shmangë përplasjet me ligjin e vetëqeverisjes vendore për sa i përket në veçanti rolit të këshillave vendor”.
Gjatë mbledhjes, u morën parasysh propozimet e Shoqatës së Qarqeve për sa i përket draft rregullores për funksionimin sa më mirë dhe ligjor të Këshilli Konsultativ dhe u miratua rregullorja e këtij organizmi.
Shoqata e Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë do të vazhdojë punën me grupin përkatës për ta përputhur projekt- ligjin për financat vendore me ligjet e tjera në fuqi.
Këshilli Konsultativ u ngrit pas një vendimi të Këshillit të Ministrave të miratuar në 21 dhjetor 2016, dhe është gjithashtu një zbatim i drejtpërdrejtë i Kartës Evropiane për Vetë-Qeverisje Vendore .