Këshilli i Qarkut Tiranë po monitoron dhe asiston nga afër situatën e krijuar si pasojë e motit problematik në vendin tonë.
Në Qarkun Tiranë, është ngritur Shtabi i Emergjencave i cili në bashkërendim me bashkitë e qarkut po asiston në dhënien e ndihmës urgjente ndaj kategorive të qytetarëve vulnerabil e në nevojë.
Kështu vetëm në Bashkinë e Tiranës janë rreth 193 qytetarë të cilët janë strehuar në shtatë qendrat sociale të hapura te cilat po funksionojnë me kapacitete dhe stafe maksimale.
Punonjësit e Policisë Bashkiake kanë vijuar intensivisht punën për të ndihmuar të gjithë personat në situatë rruge, për t’i dërguar pranë qendrave sociale, ku marrin ndihmën e nevojshme në ushqime dhe veshmbathje dhe asistencë mjekësore.
Në gatishmëri kanë qenë edhe punonjësit e shërbimit zjarrfikës për të shuar të gjitha vatrat e zjarrit që kanë rënë në këto ditë të acarta në Tiranë, kur është rritur edhe përdorimi i mjeteve elektrike ngrohëse apo i lëndëve të tjera djegëse.
Paralelisht, strukturat e Bashkisë së Tiranës po punojnë për të mbajtur të kalueshme dhe të sigurta të gjitha rrugët për qarkullimin e automjeteve duke hedhur kripë dhe skorje, si në zonat urbane, ashtu edhe në ato rurale.
Komisioni i Emergjencave në Qarkun e Tiranës po vazhdon punën për vlerësimin e dëmeve nga situatat e shkaktuara së fundi.