Si një vend me emigracion të zhvilluar prej më shumë se një shekulli, edhe shtrirja gjeografike e diasporës shqiptare kap thuajse të gjitha kontinentet e banuara. Edhe Ajo numëron disa milionë persona, të përqendruar kryesisht në Turqi, SHBA, Greqi, Gjermani, Itali, Zvicër, Suedi, Angli, Kanada, Australi, Argjentinë etj.
Pikërisht nisur nga këto fakte, Samiti i Diasporës shqiptare, që po zhvillohet për herë të parë në Tiranë (18-20 nëntor), mund të cilësohet ndër nismat më të rëndësishme që synon vendosjen e urave të bashkëpunimit me shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë vendit. Rreth 800 shqiptarë, intelektualë e sipërmarrës të suksesshëm jashtë vendit, nga 40 vende nga të gjitha kontinentet u mblodhën në këtë samit të iniciuar nga Kryeministri Edi Rama.
Në çelje të këtij samiti, duke ftuar diasporën shqiptare të kontribuojë për zhvillimin e Shqipërisë, Kryeministri Rama tha se “ajo është në fakt një shkollë e vërtetë jete”.
Rama konsideroi parësore regjistrimin e çdokujt që flet shqip si dhe sanksionimin e së drejtës të votës për ta.
Duke marrë fjalën në këtë event, kryeministri Edi Rama ka vlerësuar rëndësinë e diasporës shqiptare nëpër botë, e cila sipas tij ka luajtur një rol thelbësor për ekzistencën e Shqipërisë.
“Ky është takimi i parë i shtegtarëve shqiptarë. Mbledhja juaj sot në këtë pallat, aq saç ishte e paimagjinueshme dikur është frymëzuese për qytetarët. Të shohim të gjithë së bashku se si mund të bashkojmë fuqinë e ëndrrave, ideve dhe parave”, ka thënë Rama.
Në një tjetër panel, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj hodhi 3 ide konkrete sesi mund të afrohen më shumë emigrantët me kryeqytetin e Shqipërisë.
“Tirana është vendi ideal për të investuar në fushën e pronave të paluajtshme. Ne si Bashki e Tiranës po aplikojmë që të hapim një zonë ekonomike në zonën e Kasharit, aty ku po ndërtojmë edhe impiantin e ri të përpunimit të ujërave të Tiranës. Kemi identifikuar një zonë rreth 60 hektarë. Nëse keni dëshirën, zemrën dhe paratë për të investuar në projekte sociale, ne kemi patur një projekt fantastik të adoptimit të kopshteve dhe çerdheve. Nëse keni mundësi t’i vizitoni, janë ndoshta më të mirët në rajon dhe me zero lekë nga buxheti i shtetit, falë shumë prej kompanive shqiptare që kanë vendosur që një pjesë të të fitimit të tyre ta kthejnë mbrapsht në komunitet duke adoptuar një kopsht, çerdhe apo kënd lodrash”, deklaroi kryebashkiaku i Tiranës.