Menaxhimi dhe realizimi i projekteve të nisura nga Këshilli i Qarkut Tiranë konsiderohen si një nga pikat më të rëndësishme të funksionimit të këtij institucioni.
Për t’i shërbyer këtij qëllimi kërkohen hapa konkretë dhe të kujdesshëm dhe një nga këto është dhe miratimi i një programi konkret buxhetor. Ky ishte diskutimi kryesor i mbledhjes së Këshillit të Qarkut Tiranë, në 27 shtator 2016, ku një nga pikat më të rëndësishme ishte miratimi i Programit Buxhetor Afatmesëm 2017-2019.
Kryetari i Këshillit të Qarkut, Aldrin Dalipi duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm për funksionimi në shinat e duhura të këtij institucioni u shpreh se “ky vendim i hap rrugë strategjisë së Këshillit të Qarkut për t’u fokusuar më tepër në projektet e ndryshme që përfiton komuniteti, si në fushën e shërbimeve sociale, mbështetjen e zhvillimit të bujqësisë dhe turizmit, përmirësimin e planifikimit urban, mbrojtjen e tokës bujqësore dhe burimeve natyrore, mbështetjen ndaj aktiviteteve kulturore dhe sportive dhe promovimin e vlerave të qytetarisë aktive, si dhe pjesëmarrje në projekte ndërkombëtare të partnerëve tanë që janë rajonet”.
Në këtë fazë Këshilli i Qarkut Tiranë është pjesëmarrës në disa projekte ndërkombëtare së bashku me disa rajone të rëndësishme. Nga fillimi i zbatimit të këtyre projekteve, pritet të përfitojnë qytetarët e qarkut të Tiranës si dhe të rajoneve të përfshira në këto projekte.
Ndërkohë, Këshilli i Qarkut miratoi dhe propozimin për dhënie shtesë pensioni të posaçëm shtetëror për 12 personalitete në fushën e shkencës, kulturës, arteve ekonomisë dhe politikës që plotësonin edhe kriteret ligjore.