Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave në bashkëpunim me Këshillat e Qarqeve, Drejtoritë e Administrimit të Mbrojtjes së Tokës janë angazhuar për të përcaktuar segmentet e lumenjve që përshkojnë Qarkun e Tiranës, të cilët mund të shfrytëzohen për marrjen e inerteve.
Në kuadër të bashkërendimit të pushtetit qendror me pushtetin vendor synohet që të sigurohet dhe parandalohet mbrojtja e tokës bujqësore nga ndërhyrjet me dhe pa leje nga subjektet që merren me përpunimin dhe shitjen e inerteve duke shfrytëzuar basenet ujore.
Ekspertët e Drejtorisë së Administrimit të Tokës në Këshillin e Qarkut Tiranë, të cilit ishin të pranishëm në takimin e organizuar nga MBZHRAU në vijimësi do të paraqesin propozimet konkrete për çështjet e ngritura në tryezë.
Me urdhër të ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z.Edmond Panariti janë ngritur disa grupe pune që do të studiojnë për çdo Qark gjendjen aktuale të shtretërve të lumenjve dhe do të përcaktojnë zonat apo segmentet e paprekshme për shkak se në njërin ose në të dy krahët brigjet kufizohen me tokë bujqësore.
Qarku i Tiranës përshkohet nga lumenjtë: Erzeni, Lumi i Tiranës, Lumi i Tërkuzës, i Lanës dhe Shkumbini.