Veteranë të Luftës, përfaqësues të ekzekutivit, deputetë e drejtues të pushtetit vendor përkujtuan 74-vjetorin e Konferencës së Pezës, organizimit më të madh nacionalist e çlirimtar në luftën kundër fashizmit.
Pranë lapidarit që përkujton këtë ngjarje, që unifikoi shqiptarë pa dallim krahine, feje dhe ideje, u zhvilluan homazhe në nder të të rënëve.
Në emër të Këshillit të Qarkut, kryetari Aldrin Dalipi vendosi një kurorë me lule ndërsa ceremonia u shoqërua me aktivitete të shumta nga Bashkia e Tiranës.
Në fjalën e rastit Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, falënderoi fillimisht të gjithë veteranët, por edhe të rinjtë që u bënë pjesë e këtyre organizimeve.
Duke iu referuar ngjarjes, kryebashkiaku i Tiranës theksoi se Konferenca e Pezës përcaktoi së pari pozicionimin e Shqipërisë në luftë në anën e aleatëve kundër pushtuesve.
Kjo është arsyeja, theksoi kryebashkiaku, që çdo 16 shtator Peza kujton veprën e një brezi që u ngrit në lartësinë e sfidave që i renditi historia. Ai shtoi se sakrifica dhe idealizmi i atyre të rinjve duhet të jetë motivues edhe për shoqërinë tonë për të menduar dhe kontribuar më shumë, se si vendi ynë mund të bëhet më i mirë.
“Kemi nevojë për shembullin e burrave dhe të grave që prehen këtu pas nesh, të shokëve të tyre veteranë, që sot kanë ardhur këtu nga e gjithë Shqipëria për t’i nderuar, por mbi të gjitha kemi nevojë që shembulli që ata dhanë të kthehet në modelin e këtyre të rinjve që janë me ne sot se ka më shumë gjëra që na bashkojnë përtej partive, përtej të majtës dhe të djathtës, sesa gjërat që na ndajnë për të ndërtuar një Shqipëri evropiane”, theksoi Veliaj.
Zëvendëskryeministri, Niko Peleshi, theksoi se ata që morën pjesë në këtë Konferencë, 74 vite më parë, para se të ishin nacionalistë apo përfaqësues të feve dhe krahinave të ndryshme, ishin patriotë që e donin vendin.
“Ishte pikërisht Konferenca e Pezës që arriti të rendiste Shqipërinë krahas vendeve të tjera që luftonin për lirinë dhe mesazhi i saj është në koherencë me të sotmen. Për të arritur progresin që synojmë, është i nevojshëm një bashkim dhe bashkëpunim i çdo force politike drejt një qëllimi të njëjtë për zhvillimin dhe përfshirjen e plotë të Shqipërisë në rrugën drejt familjes së madhe evropiane. Qëllimi ynë për ta integruar vendin plotësisht në Bashkimin Evropian është një amanet që ua kemi borxh pikërisht gjithë përpjekjeve idealiste që janë bërë ndër breza për ta parë Shqipërinë të ndriçuar”, tha zëvendëskryeministri në fjalën e tij.
Më pas të pranishmit bënë homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe para memorialit të patriotit Myslym Peza.