Konferenca ndërkombëtare “Parandalimi dhe lufta kundër parregullsive dhe mashtrimit në programet evropiane Bashkëpunimi Territorial”, organizuar nga Autoriteti i CBC 2007-2013 Menaxhimit të Programit IPA Adriatik në ditët e para të muajit Korrik është pasqyruar dhe në mediat italiane.
Gazeta e Abruzos i ka kushtuar një përmbledhje duke intervistuar dhe kryetarin e Qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Më poshtë shkrimi i plotë:
BRUKSEL Gusht 2016.
Harrojini anijet tregtare të shkatërruara, mjetet e lundrimit të çdo lloji, të tejmbushur me njerëz të dëshpëruar që ikin nga Shqipëria drejt bregdetit italian në fillimet e viteve ‘90! Sot mes Italisë dhe Shqipërisë shtrihet një det plot mundësi e shkëmbime të tjeralloj. Deti nuk është më i panjohur, nuk ështe barrierë, nuk është më rruga e vetme për familjet që projektonin përtej tij të ardhmen e fëmijëve të tyre. Deti tashmë është simbol bashkimi, është ura që lidh interesat e përbashkët e reciproke të të dy vendeve. Kjo nuk është retorikë, por sinteza e gjithë mundësive të përbashkëta dhe vizionit të të dy vendeve.
Deti për Bashkimin Evropian është një “premise” për të identifikuar fushat të reja të zhvillimit dhe investimeve. BE-ja është rritur shumë shpejt, dhe në disa drejtime edhe jashtë kontrollit. Strategjitë makro-rajonale janë pikërisht përgjigja ndaj nevojës për të identifikuar qendra të reja zhvillimi, shtylla mbi të cilat duhet mbështetur për të ndërtuar më shumë Evropë. Shqipëria, edhe pse ende nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, që nga viti 2009 ka nisur procesin e anëtarësimit, dhe sigurisht që është e denjë për vëmendje më të madhe nga ana e Komisionit Evropian. Këtë gjë e tregoi edhe në Samitin Ballkanik të mbajtur në Paris, të cilin disa grupime dasahkeqe u përpoqën ta lexonin si një përgjigje të Komisionit Evropian për Brexit. Qendra e gravitetit të interesave evropiane duket se është zhvendosur në drejtim të zonës së Ballkanit, zonë e cila është përfshirë tashmë nga bashkëpunimi intensiv në kuadër të makro-rajonit Adriatiko-Jonian. Shqipëria, një vend me 3 milionë banorë, ka treguar tashmë se është një aktor i maturuar në këtë proces. “Integrimi është rruga jonë e vetme”, deklaroi kryeministri shqiptar Edi Rama në Paris. Por këtë maturi e tregojnë edhe përmbushja e proceseve të vështira për kryerjen e reformave strategjike, rritja vjetore me rreth 2% e GDP-së, dhe numri në rritje i kompanive italiane që kanë zgjedhur Shqipërinë në procesin e tyre të ndërkombëtarizimit.
Nëntëmbëdhjetë mijë italianë jetojnë sot në Shqipëri me një leje pune ose studimi. Dhoma Italiane e Tregtisë në Shqipëri flet për një prani të 500 – 600 kompanive italiane. Në mesin e tyre edhe grupi Conad Adriatico, i cili që nga viti 2006 ka krijuar një qendër të shpërndarjes me biznesmenët lokalë të 42 njësive të tregtimit, më një xhiro vjetore prej 43 milion euro për vitin 2015, 21.6% më shumë se viti i mëparshëm, duke dhënë një kontribut i rëndësishëm në rritjen me mbi 10 milionë euro të eksportit të produkteve italiane. Por këto shifra nuk janë tregues kolonizimi, përkundrazi! Janë shifrat e një rritjeje të qëndrueshme, e cila rrit paralelisht mirëqenien dhe cilësinë e jetës së komunitetit shqiptar, në përputhje me prioritetet e dhe standartet e përcaktuara nga Komisioni Evropian në kuadër të programit për bashkëpunim ndërkufitar.
Të dhëna entuziaste lidhur më sa më sipër u ndanë në Tiranë në Konferencën ndërkombëtare “Parandalimin dhe lufta kundër parregullsive dhe mashtrimit në programet evropiane Bashkëpunimi Territorial”, organizuar nga Autoriteti i CBC 2007-2013 Menaxhimit të Programit IPA Adriatik në ditët e para të muajit Korrik. Këto të dhëna treguan pjesëmarrjen e Shqipërisë në mbi 70 projekte nga 102, dhe përthitjen e fondeve në shumën 21 milionë euro financime. Aldrin Dalipi, Kryetar i Këshillit të Qarkut Tiranë, theksoi se “Qarku i Tiranës dhe Rajoni Abruzzos kanë vendosur tashmë bashkëpunime të ngushta, duke u paraqitur si partnerë në projekte të përbashkëta evropiane”, duke nënvizuar se “Ballkani sot ka energjinë dhe dëshirën e palëkundur për të qenë pjesë e Evropës në një kohë të vështirë për BE.
” Por Shqipëria duhet t’i vërë në zbatim reformat e miratuara për të arritur progresin dhe përshpejtuar luftën kundër korrupsionit. Reforma e sistemit gjyqësor, e miratuar unanimisht më 21 Korrik, ishte dëshmia që BE-ja po priste nga Shqipëria si një garanci për pavarësinë, efikasitetin dhe llogaridhënien e sistemit gjyqësor. Bashkimi Evropian po ndjek me vëmendje të madhe përpjekjet e Shqipërisë në zbatimin e reformave strukturore komplekse, ndërkohë që po fokusohet në investimet strategjike në zonën Itali-Shqipëri-Mal i Zi, nëpërmjet programit të bashkëpunimit ndër-kufitar “Adriatik Jonian 2014-2020 “, realizimit të projekteve të të cilit u është caktuar një buxhet prej mbi 78 milionë euro. Ky program synon të mbështesë rritjen e zgjuar, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme me anë të nxitsjes së konkurrencës dhe inovacionit, duke u mbështetur në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe integrimin e Shqipërisë në tregjet rajonale dhe evropiane.
Mjafton të ecësh nëpër rrugët e Tiranës për të kuptuar se sa shumë vitalitet dhe të rinj ka ky qytet. Familjet investojnë në edukimin e tyre, shpesh jashtë vendit për të marrë një titull Master apo ndjekur shkolla të specializuara. Objektivi i tyre nuk është ikja pa kthim, por të fituarit e aftësive për tu kthyer të pasuruar në dije e aftësi. Nuk ishte rastësi që Samiti i Ballkanit të Parisit zgjodhi Tiranën si qendër të “Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO)”, një organizëm që promovon bashkëpunimin dhe pajtimin në rajon nëpërmjet shkëmbimeve rinore. Në Shqipëri, dëshira dhe përkatësia për në Evropën ndihet në ajër. E ndjen tek përpjekjet e shumë qytetarëve shqiptarë që të shtyrë nga dëshira për ndryshim e vitalitet, u japin jetë iniciativave kulturore, ekonomike e sociale që duhet të na kujtojnë ne italianëve se si ishim atëherë kur Amerika na dukej larg, por jo e paarritshme!
Chiara Morelli: 18 Gusht 2016