Zhvillimi Rajonal nëpërmjet ligjit. Në një takim të parë konsultues mbi draftin ligjor për zhvillimin rajonal organizuar nga Këshilli i Ministrave në bashkëpunim me Ambasadën e Zvicrës dhe Zyra e Bashkëpunimit Gjerman në Shqipëri, në 26 korrik 2016, mori pjesë dhe Shoqata e Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë.
Pas prezantimit të bërë nga ekspertët e fushës, 5 ishin kërkesat dhe sugjerimet kryesore të SHKQSH-së që konsistojnë në vlerësimin e kësaj iniciative të konkretizuar në këtë draft ligj, i cili është në përputhje me vizionin dhe programin e qeverisë për reformimin e qeverisjes vendore e rajonale në vend, dhe në përputhje të plotë me parimet dhe vizionin evropian të zhvillimit rajonal, duke i parë rajonet si njësi të rëndësishme të zhvillimit kohezional të territorit.
Po kështu u vu në pah rëndësia e qarqeve si aktorë të menaxhimit të zhvillimit rajonal, domosdoshmëria e pjesëmarrjes së tyre në organet menaxhuese të zhvillimit të rajoneve që do të derivojnë nga ky ligj, si dhe u soll në vëmendje të pjesëmarrësve aderimi i Qarqeve të Shqipërisë në organizma evropiane me fokus zhvillimin e rajoneve, përvoja e tyre në zbatimin e projekteve ndërkufitare dhe e gatishmëria për të kontribuar pozitivisht në procesin e diskutimit dhe më pas zbatimit të këtij draft ligji.
U kërkua përqasja konsultuese dhe transparente për të arritur deri ne draftin final të ligjit për zhvillimin rajonal, si një përqasje shumë e rëndësishme që reflekton dimensionin gjithëpërfshirës të këtij ligji përkundrejt gjithë aktorëve me ndikim e të ndikuar prej tij.
U shpreh qëndrimi se ky ligj do t’i shërbejë një të ardhmeje afatgjatë në procesin e konsolidimit dhe zhvillimit modern të rajoneve si dhe u kërkua për të gjithë aktorët që janë angazhuar në përpilimin e këtij draft-ligji që ky projektligj të përditësohet dhe reflektoje ndryshimet e duhura në vijim.
Gjithashtu u kërkua që qarqet përmes Shoqatës së Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë të përfaqësohen në të gjitha organizmat që do rrjedhin nga ky ligj. Drafti final i ligjit për Zhvillimin Rajonal do të ndahet për konsultim me gjithë aktorët e përfshirë dhe brenda muajit gusht Shoqata e Këshillave të Qarqeve do të parashtrojë mendimet dhe sugjerimet e veta për draft-ligjin.