Në Këshillin e Qarkut Tiranë u zhvillua mbledhja e Komisionit të Mbrojtjes së Tokës nën drejtimin e kreut të Qarkut Tiranë.
Në mbledhje morën pjesë anëtarët e këtij komisioni drejtuesit e bashkive Tiranë, Vorë, Kamëz, Kavajë, Rrogozhinë, policisë së Tiranës, Drejtorisë së Ujërave dhe drejtorisë Rajonale të Bujqësisë.
Kryetari i Qarkut Tiranë, Aldrin Dalipi theksoi se Komisioni i Mbrojtjes së Tokës në nivel Qarku është një nga strukturat shtetërore, që me politikat, rekomandimet, vendimet që merr e do të marrë në vijimësi do të kontribuojë në një çështje madhore siç është mbrojta e tokës dhe në veçanti e tokës bujqësore.
“Është e pajustifikueshme që ky komision për shumë vite nuk ka funksionuar,” u shpreh Dalipi.
Gjatë fjalës së tij kreu i Qarkut u shpreh se “prioriteti numër një për të gjithë është domosdoshmëria që shtron stadi në të cilin jemi për të rritur shkallën e zbatimit të akteve ligjore e nënligjore që i përkasin mbrojtjes dhe rehabilitimit të tokës”.
Në mbledhje u dha informacion mbi analizën e gjendjes në Qark të dëmtimeve të tokës bujqësore nga faktorë njerëzor e natyror që ndihmon për parandalimin dhe rehabilitimin e dëmtimeve.
Gjatë mbledhjes u kërkua që bashkitë të koordinojnë shqyrtimin e planeve zhvillimore në raport me zhvillimin e tokës dhe në veçanti të tokës bujqësore.
“Detyra e Komisionit do të jetë që planet zhvillimore të bashkive të ndikojmë me rekomandimet përkatëse dhe ligjore”, tha zoti Dalipi.
Një nga problematikat e tjera u trajtua dhe problemet e kufijve mes bashkive dhe problematikat që hasin qytetarët në këtë drejtim, duke sugjeruar ngritjen e grupi pune për evidentimin e situatës.
Në përfundim, Komisioni i Mbrojtjes së Tokës hartoi dhe miratoi një plan veprimi për muajt në vazhdim. Kështu, në korrik të këtij viti do të bëhet një analizë e treguesve të dëmtimit të tokës bujqësore, dhe do të shqyrtohet dhe vendoset për miratimin e planit të veprimit për të dokumentuar dhe rekomanduar ndëshkimin e shkaktarëve e shfrytëzimit pa kriter të shtretërve të lumenjve. Në muajin shtator do të shqyrtohen dhe do te jepen rekomandime për planet e urban zhvillimore që po përgatisin bashkitë.
Në muajin dhjetor do të diskutohet mbi gjendjen e fondit të tokës dhe dëmtimet e ndodhura gjatë vitit 2016 si dhe shqyrtim i raportit të grupit të punës për gjendjen dhe dëmtimet e tokës nga lumenjtë dhe marrje e vendimeve përkatëse.