Ministria Financave ka ndërmarrë nismën për hartimin e projektligjit për financat vendore, i cili hartohet për herë të parë në Shqipëri.
Ky projektligj vjen pas ligjit për vetëqeverisjen vendore dhe reformës administrative territoriale.
Tashmë është ngritur edhe grupi i punës, i cili ka nisur konsultimet me grupet e interesit për hartimin e projektligjit, që pritet të zgjidhë një nga problemet më të mëdha në ciklin e buxhetimit të financave vendore.
Pjesë e grupit të punë është edhe Shoqata e Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë, kreu i së cilës Aldrin Dalipi theksoi Ora News se hartimi i projekt ligjit për financat vendore është i vonuar.
“Një ligj që do të konsolidonte pikërisht funksionimin e bashkive, nivelin e parë të qeverisjes vendore dhe qarqeve që është niveli I dytë I qeverisjes vendore për mënyrën sesi duhet të operojnë me financat, me përcaktime të qarta, në mënyrë që të mos mbetet më në aspektin që një kryetar bashkie e njeh apo jo një Ministër të Financave apo të lobojë në qeveri kush merr më shumë dhe kush më pak, por të ketë kritere të qarta si përfitohen financat vendore në raport me bashkitë që performojnë më mirë në mbledhjen e të ardhurave dhe në raport me popullsinë apo më tej.”
Zoti Dalipi theksoi se puna për hartimin e projektligjit për financat vendore do të bëhet në mënyrë transparente.
“Ky hap do të finalizohet sa më shpejt në mënyrë që të shkojë në Parlament, por duke ndjekur një proces transparent të konsultimit publik, të konsultimit me faktorët ndërkombëtar, të konsultimit me bashkitë ,edhe të konsultimit me këshillat e qarqeve në Shqipëri në mënyrë që të jetë një ligj i konsoliduar dhe qeverisja vendore të ketë mundësi që të operojë përmes këtij ligji, natyrisht për menaxhimin e financave që ato do të kenë nën administrimin e tyre.”
https://www.youtube.com/watch?v=iI4pJoXfC5E