Zv. Presidenti i Eurorajonit Adriatiko-Jonian dhe njëkohësisht Presidenti i Rajonit të Abruzzos, Itali, Z. Luciano D’Alfonso me anë të një letre i është drejtuar Presidentit të Eurorajonit Adriatiko-Jonian dhe njëkohësisht President i Rajonit të Dubrovnikut, Nikola Dobroslavić, Zv. Presidentit të Eurorajonit Adriatiko-Jonian dhe kryetarit të Qarkut Tiranë, Z. Aldrin Dalipi në lidhje me realizimin e aksit të autostradës Dubrovnik-Tiranë.
Sipas zotit D’Alfonso një nga shtyllat e Strategjisë EUSAIR është “Lidhja e rajonit” dhe nën këtë profil duhet të merret një rol aktiv dhe pozitiv në zbatimin e projekteve me interes të përbashkët që rrisin vlerën e shtuar në zonën Adriatiko-Joniane.
Projekti i autostradës Tiranë-Dubrovnik do t’i jepte shtysë nismës së përftuar në seancën plenare të Parlamentit Europian me aprovimin e rezolutës (P8_TA-PROV (2015)0383) mbi një strategji të BE-së për rajonin Adriatiko-Jonian që përcakton kompletimin e korridorit të Rrjetit Transeuropian të Transporteve (TEN-T) Baltik–Adriatik, madje dhe zgjatjen e të gjithë vijës bregdetare Adriatiko-Joniane nga Ravena deri në veri të Pulias, zgjerimin veri-jug të korridorit skandinav-mesdhetar dhe një lidhje më e mirë mes Gadishullit Iberik, Italisë Qendrore dhe Ballkanit.
Në letër theksohet se projekti i Autostradës Tiranë- Dubrovnik mund të ketë mjaft ndikim në rritjen dhe zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve pune dhe në fushën turistiko kulturore për Italinë, duke qenë se Ballkani nuk është vetëm një rajon fqinj, por është një treg dhe një rrugë tranziti drejt Europës Qendrore-Lindore.
Ndërkaq, për shkak të rëndësisë strategjike që ka për Italinë vlerësimi i plotë i zhvillimit të Autostradës Tiranë -Dubrovnik në anën tjetër të Adriatiku, zoti D’Alfonso propozon të diskutohet për mundësinë e një takimi.