Në mjediset e Këshillit të Qarkut Korçë u zhvillua takimi në kuadër të njohjes me “Rezolutën 1325” Gruaja, Paqja dhe Siguria e Këshillit te Sigurisë së OKB –se me mbështetjen e Shoqatës së Grave me Probleme Sociale.
Ky takim vjen pas atyre të zhvilluara në Durrës dhe Tiranë dhe do të shtrihet edhe në qarqe të tjera të Shqipërisë. Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues nga Prefektura Korçe, Bashkitë, Policia, Gjykata, Universiteti si dhe nga shoqëria civile dhe OJF.
Objektivi specifik i këtij projekti është fuqizimi i organizatave të shoqërisë civile dhe garantimi që ato të angazhohen aktivisht në zbatimin e legjislacionit vendas që i referohet të drejtave të gruas siç është edhe rezoluta 1325.
“Unë mendoj se në këtë drejtim duke punuar akoma më shumë sidomos në gjetjen e mënyrave për nxitjen e grave në pjesëmarrje, sidomos në periudha zgjedhjesh do të çojë në menaxhimin gjithnjë në rritje të besueshmërisë që gratë janë të afta edhe në këtë drejtim. Sot duhet një rritje e komunikimit të gruas politikane dhe grave votuese, por jo vetëm periudhave zgjedhore, por edhe përmes ngritjes të vetëdijes së grave që merren me politikë, bazuar mbi rezolutën 1325”, u shpreh kryetarja e Këshillit të Qarkut Korçë, znj. Ana Verushi.
Më tej theksoi: “Ekzistojnë një numër i madh iniciativash nga organizma ndërkombëtare që lobojnë në përfaqësimin e gruas në procesin politik, megjithatë në praktike zbatimi i kësaj kornize ligjore dhe iniciativave të tjera të rëndësishme nuk janë në nivele të kënaqshme. Kjo edhe nga mungesa e një vullneti politik, si dhe nga një nivel i ulet i vetëdijes mbi ndikimin e grave në dialogun për paqe. Prandaj ne duhet të jemi së bashku të luftojmë për kapërcimin e sfidave që gratë hasin sot në sektorin publik”.