Im zot Lucian Avgustini, Ipeshkëv i Dioqezës së Sapës, njëkohësisht dhe Nënkryetar i Konferencës Ipeshkëvore të Shqipërisë është ndarë nga jeta në moshën 53-vjeçare.
Ai vuante nga një sëmundje e pashërueshme dhe pavarësisht trajtimeve të shumta mjekësore, në orën 15:15 të së dielës, Imzot Lucian Avgustini ka mbyllur sytë.
Ai, ishte pjesë e marshimit në Paris së bashku me klerikët e tjerë fetar në vend, menjëherë pas sulmit terrorist që u bë mbi gazetën satirike “Charli Hebdo”.
Lucian Avgustini lindi më 23 gusht të vitit 1963 në Ferizaj të Kosovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në gjimnazin klasik në Suboticë, më pas ndoqi Fakultetin Teologjik në Zagreb, ku edhe është diplomuar në Teologji Morale. Më 15 gusht të vitit 1989 shugurohet meshtar në Zym të Hasit, nga Imzot Nikë Prela.
Në vitin 2012 zgjidhet nënkryetar i Konferencës, detyrë të cilën vazhdonte ta kryente deri më sot. Në brendësi të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, ushtronte edhe detyrën e kryetarit të Komisionit për Ekumenizëm, të Komisionit për Kulturën dhe atij për Katekezë.