Tirana do të ketë një shesh të sajin qendror, kushtuar tërësisht këmbësorëve, me gurë dhe bimësi nga të gjitha krahinat shqiptare.
Bashkia e Tiranës ka prezantuar projektin e sheshit të ri “Skënderbej”, zbatimi i të cilit do të nisë nga muaji qershor, pasi të jetë diskutuar më parë me të gjithë qytetarët e Tiranës.
Të pranishëm në këtë prezantim të parë ishin kryeministri z. Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak, z. Aldrin Dalipi, arkitektë, urbanistë dhe qytetarë të interesuar. Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama, e cilësoi projektin të një rëndësie të veçantë dhe theksoi se ai i arrin t’i japë qytetit qendrën e merituar.
“Ky projekt është me rëndësi sepse është në zemër të Shqipërisë,në Tiranë, ku është edhe zemra e shqiptarëve.
Bëhet fjalë për vazhdimin jo pasiv, por krijues, të një projekti të nisur vite më parë, që Tirana të ketë një shesh, i cili në hapësirën e tij t’u ofrojë banorëve një pikë referimi të palëvizshme. Ka ndodhur që projekti ynë të kritikohet pse ne po transformojmë sheshet e qyteteve, në dritëshkurtësinë se njerëzit nuk përfitojnë ekonomikisht.
Në fakt, historia njeh vetëm një rast kur qeveria dhe vendimmarrja për të financuar zhvillimin e komuniteteve u fokusua te asfalti është Shqipëria e tranzicionit, mendësia e të cilit kulmoi për keq në qeverinë e kaluar”, u shpreh kryeministri Edi Rama.
Ndërsa, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke prezantuar elementët e këtij projekti u shpreh se është synuar të mundësohet barazia e sipërfaqes së gjelbër me vetë sheshin. “Kjo do të thotë se kemi përshtatur sheshin me më shumë gjelbërim, duke e çuar këtë në raportet 50 me 50”,tha Veliaj.
Më tej ai, theksoi se sheshi do të përfaqësojë unitetin kombëtar, jo vetëm se gjendet në zemër të Tiranës, por edhe për faktin se konceptimi i tij e përfaqëson totalisht unitetin tonë kombëtar.