Në datat 15-17 Mars 2016 u zhvillua në Janinë konferenca “Sfidat dhe Perspektiva për Zhvillimin e Qëndrueshëm të akuakulturës dhe agrikulturës në makrorajonin Adriatiko Jonian”.
Në këtë konferencë mori pjesë Kryetari i Qarkut të Tiranës, zoti Aldrin Dalipi, i cili adresoi punimet e konferencës, duke theksuar në fjalën e tij rëndësinë e koordinimit të përpjekjeve të të gjitha vendeve të Eurorajonit Adriatiko- Jonian për përmbushjen e objektivave të EUSAIR dhe kujdesin e përbashkët për pasuritë ujore dhe tokësore të rajoneve tona.
Konferenca u organizua në kuadër të projektit AdriGov, një projekt strategjik nën programin “IPA Adriatic 2007-2013”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe fondet e vendeve pjesëmarrëse, me qëllim forcimin e rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm në rajonin e Adriatikut dhe Jonit.
Z. Aldrin Dalipi ka zhvilluar një takim pune me Guvernatorin e Rajonit të Epirit, z.Alexander Kachrimanis.
Gjatë takimit u fol mbi mundësitë e zbatimit të projekteve të përbashkëta mes dy rajoneve e më gjerë, projekte që sigurojnë zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve të Eurorajonit Adriatiko- Jonian në kohezion me objektivat e strategjisë EUSAIR (Strategjia e BE-së për Rajonin e Adriatikut dhe të Jonit).