Në përvjetorin e 96-të të shpalljes së Tiranës Kryeqytet të Shqipërisë, 11 shkurt 1920 në ambientet e Bashkisë së Tiranës u zhvillua një ceremoni përkujtimore ku u pritën në një takim familjarët e përfaqësuesve të qeverisë së parë, të cilëve kryetari i Bashkisë iu dhuroi edhe një medalje mirënjohjeje për kontributin e dhënë në shpalljen e Tiranës kryeqendër të vendit. Gjithashtu, në ambientet e Akademisë së Shkencave, ku në 1920 zhvilloi veprimtarinë Këshilli i Lartë, u zhvillua një ekspozitë me fotografi të vjetra e interesante të Tiranës, si dhe ceremonia e përvjetorit me pjesëmarrjen e shumë historianëve që kanë shkruar e dokumentuar historinë e kryeqytetit.
“Zhvillimi që ka marrë Tirana në periudhën mes këtyre dy momenteve nuk mund ta mohojë askush. Nga një qytet me disa dhjetëra, mijëra banorë në fillimet e tij, sot Tirana është shndërruar në një metropol me një milionë banorë rezidentë. Nga një qytet që asokohe dukej si një zgjidhje shumë e çuditshme për kryeqytet, krahasuar me qytete më të mëdha dhe më të rëndësishme të asaj kohe, siç ishte Shkodra, Korça, Vlora ku u shpall pavarësia, Durrësi, sot, Tirana është pa dyshim jo vetëm qyteti më i madh dhe më i zhvilluar i shqiptarëve, por edhe motori i zhvillimit ekonomik të vendit, ku statistikisht 40% e ekonomisë shqiptare gjenerohet këtu”, u shpreh Veliaj.
Ai tha se Tirana sot ndodhet në prag të një periudhe tjetër zhvillimi, e cila do të përcaktojë trajektoren që do të marrë kryeqyteti ynë për 20 apo 30 vitet e ardhshme. “Kjo është ajo për të cilën po punojmë, jo për zgjedhjet e ardhshme, por për të ardhmen e qytetit, për gjeneratën e ardhshme. Sigurisht, nuk mund të bëjmë dot gjithçka në një vit apo qoftë edhe në një mandat, por më e pakta që mund të bëjmë është t’u japim fund këtyre lloj çudirave që përmendëm dhe që historianët me humor i kanë kujtuar në librat e tyre, që prej vitesh janë kthyer dhe janë pranuar si të ishin normale në Tiranë”, vijoi kryebashkiaku Veliaj.
Duke nënvizuar faktin se reforma territoriale ka krijuar një sërë mundësish të reja për të hartuar politika zhvillimi dhe rritje për Tiranën, sfida e radhës është çuarja përpara e një sërë projektesh infrastrukturore si: Unaza e Madhe dhe Unaza e Vogël, Bulevardi i Ri, investimi për infrastrukturën e një transporti alternativ minimum për biçikletat, zonat e reja pedonale, të cilat do ta transformojë jetën e kryeqytetit tonë.