Është ndarë nga jeta në moshën 96-vjeçare akademiku Kristo Frashëri. Profesor Frashëri, pinjoll i familjes së madhe të Frashërllinjve, ka qenë një ndër figurat më të njohura duke filluar veprimtarinë e tij shkencore që prej vitit 1938.
Ai ka një numër të madh botimesh studimore, historike, dokumentare dhe shkencore ku janë trajtuar periudha të ndryshme, figura dhe elementë të tjerë përmes të cilëve ka kaluar Shqipëria dhe shqiptarët.
Në emër të Këshillit Bashkiak dhe Qarkut Tiranë, z. Aldrin Dalipi ka shprehur ngushëllimet për këtë personalitet të historisë.
“Në emër të Këshillit Bashkiak dhe Qarkut Tiranë, ngushëllimet më të sinqerta familjareve për humbjen e Prof.Kristo Frashëri, një njeri i mençur, i ditur, që ka dhënë shumë për historinë e Tiranës, dhe gjithë Shqipërisë. Profesori do të mbetet një personalitet i pazëvendësueshëm për rolin dhe kontributin e tij. Kujtoj si një moment shumë të veçantë dhe emocionues takimin me të për t’i bërë të njohur propozimin tonë për “Qytetar Nderi i Tiranës”, titull që u dorëzua së fundi nga kryebashkiaku Erion Veliaj.”
Mbeten të rralla veprat e tij për Skënderbeun, Pernadorinë e Arbërit, Pavarësinë, Rilindjen, kufijtë e cunguar të Shqipërisë në 1913, por edhe për Çamërinë, Epirin, Kosovën, Himarën, shqiptarët e Maqedonisë e deri për kryeqytetin Tiranën.
Kristo Frashëri mban titullin Nderi i Kombit, dhënë nga presidenti i atëhershëm Bamir Topi. Shqipëria humbi padyshim historianin më të madh të 100 viteve të fundit, që megjithatë do të lërë pas veprat e tij si një mënyrë për të mbetur gjithmonë mes njerëzve që duan të shohin e kuptojnë historinë dhe të vërtetat e saj.