Situata e rënduar për shkak të reshjeve ka bërë që autoritetet vendore të jenë në terren për të monitoruar situatën nga afër.
Kryetari i Qarkut të Tiranës dhe Këshillit Bashkiak, z.Aldrin Dalipi ishte pasdite në zonën e Don Boskos, ku ujërat kanë vërshuar në rrugë dhe kanë vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe mjeteve.
Z.Dalipi sëbashku me drejtuesit e Bashkisë së Tiranës kanë monitoruar situatën. “Tani siç e dimë të gjithë situata është problematike, është paralajmëruar nga Bashkia e Tiranës. Mbrëmë vonë është mbledhur edhe grupi i emergjencave pranë Bashkisë së Tiranës pikërisht për të marrë masa.
Kemi patur problematika, por mbi 1200 punonjës kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në terren për t’iu gjendur në të gjitha zonat në të cilat reshjet kanë sjellë goxha problem. Kështu që në këtë kuptim, situata është e monitoruar,”shprehet kreu i Qarkut Tiranë dhe Këshillit Bashkiak.
Z.Dalipi thekson se qytetarët duhet të kontaktojnë me autoritetet për çdo problem.
“Bashkia u ka bërë edhe thirrje qytetarëve që të reduktojnë lëvizjet e tyre në këto orë. Rreth 20 familje janë evakuar në territorin e Bashkisë së Tiranës. Gjithashtu, kontaktet janë të vazhdueshme dhe me punonjësit në terren që bashkë me ujësjellësin që në të gjitha zonat ku njoftohet për problem, menjëherë të ndërhyhet”.
I pyetur nëse ka pasur ndonjë mundësi që të ndërhyhet në Lumin e Lanës, z.Dalipi theksoi se ky është një problem prej shumë vitesh, por po monitorohet dhe aty ku mund të ndërhyhet po ndërhyhet në vazhdim.
“Të gjithë punonjësit e bashkisë, stafi drejtues dhe ndërmarrjet e bashkisë janë të gjithë në terren dhe në çdo moment kur ka problematikë ndërhyhet.
Kjo është shumë e rëndësishme për t’u gjendur pranë qytetarëve, por dhe qytetarët nga ana e tyre duhet të lajmërojnë për çdo problem që ata kanë në këto orë në numrat e telefonit që bashkia ka bërë publik”.
Sa i përket ndërhyrjeve për të parandaluar më tej vërshimin e ujërave, kreu i Këshillit Bashkiak të Tiranës thekson se kjo është një situatë emergjente.
“E rëndësishme është që në çdo aspekt, situata po monitorohet”.
E rëndësishme është që qytetarët vetë të lajmërojnë për çdo mesazh. Bashkia është në gatishmëri 24 orë. Janë të qarta pikat problematike që ndodhen në Bashkinë e Tiranës. “Monitorohet qendra, por dhe periferia”, tha Dalipi në një lidhje direkte nga Don Bosko për Ora News.