Në Qarkun e Tiranës, Bashkia Tiranë zgjodhi ditën e Lumturimit të Nënë Terezës për të përuruar çerdhen Nr 59, në Kodër Kamëz. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, zgjodhi pikërisht këtë zonë të qytetit për të përuruar ambientet e reja të çerdhes “Kësulëkuqja”, rikonstruksioni tërësor i së cilës u bë i mundur falë nismës “Adopto një çerdhe” e shpallur nga bashkia në fund të muajit gusht.
“Ashtu siç ka edhe emrin, më vjen mirë që historia e kësaj çerdheje të ndërtuar që në vitin 1955, përfundon si përralla e Kësulëkuqes: pas 4 viteve në ‘barkun e ujkut’, çerdhja vjen si histori suksesi për gjithë banorët e Kodër-Kamzës”, tha z. Veliaj.
“Ky është një investim rreth 28 milionë lekë, duke mundësuar një nga çerdhet më moderne sot në Tiranë. Më vjen mirë që nisma “Adopto një çerdhe” përkoi po ashtu, edhe me javën e solidaritetit, ku duam të përkujtojmë ditën e Lumturimit të Nënë Terezës, jo me fjalime, por me vepra konkrete në komunitet. Të gjithë ata që kontribuuan duke mbështetur këtë nismë, tregojnë se ne jemi pasardhës të shenjtores, jo me fjalë, por me vepra konkrete”, tha Veliaj, teksa falenderoi bizneset e zonës që kontribuuan në rikonstruksionin e çerdhes.
Ndërsa, e ka cilësuar nismën “Adapto një çerdhe” si të suksesshme, kryebashkiaku Veliaj njoftoi se ajo do të vijojë edhe për rikonstruktimin e objekteve të tjera si kopshtet dhe shkollat.
Kryetari i Këshillit të Qarkut, z. Aldrin Dalipi, i cili mori pjesë në këtë inaugurim theksoi në rrjetet sociale se “Ky është një model i shkëlqyer për t’u ndjekur. Falenderoj kryebashkiakun Veliaj për këtë nismë fantastike, që po u shërben fëmijëve të kryeqytetit”.