Me rastin e 79-vjetorit të Çlirimit të kryeqytetit, Kryetari i Qarkut Tiranë z.Aldrin Dalipi mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Bashkia Tiranë pranë monumentit “Partizani i Panjohur” së bashku me autoritet vendore, të qeverisë dhe parlamentit, veteran e familje të deshmorëve të luftës.
Në fjalën e tij me këtë rast Kryetari Dalipi u shpreh “ Sot kryeqëndra e shqiptarisë, Tirana jonë, kremton një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së qytetit, çlirimin e saj nga pushtuesit nazifashistë. Data 17 Nëntor për qytetarët e Tiranës është një pikë referimi dhe moment krenarie.
Prezenca juaj dhe gjithë aktivitetet e organizuar në nderim të Luftës Nacionalçlirimtare, dëshmojnë përgjegjësinë dhe detyrimin patriotik të të gjithëve ne për rëndësinë historike të kësaj date, për amanetin e dëshmorëve të luftës, të cilët aspironin, që Shipëria dhe Kryeqyteti i saj të ndiqte rrugën e prosperitetit, bashkëpunimit, rrugën e një Shqipërie europiane.
Muaji nëntor është muaji i Shqiptarëve. Në këtë muaj kemi pikëkthesat e bekuara të historisë sonë politike, siç janë: 28 Nëntori konstituimi i shtetit të pavarur, 29 Nëntori pavarësia e dytë kombëtare, por në këtë muaj mbarë shqiptaria kremton 115 vjetorin e Alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe. Dhe në këtë rrjedhë të ngjarjeve kruciale të historisë, është edhe 17 Nëntori. Çlirimi i kryeqytetit pati rëndësi të madhe politike e ushtarake.
Forcat pushtuese naziste, të cilët qëndronin në ndërtesat e Ministrive, te Banka, te Bashkia dhe tek hotel “London” (sot Muzeu Historik Kombëtar), falë edhe solidarizimit të adhurueshëm të të gjithë qytetarëve të Tiranës me Forcat e Brigadave, pas plot 19 ditëve luftimesh, u zbrapsën. Çlirimi i Tiranës kurorëzoi fitoren e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Sot pas 79 vitesh me bindje dhe përulje, nuk është e tepërt të themi se të gjithë ata të rinj e të reja që sakrifikuan jetën në shërbim të lirisë së vendit, vijojnë të jenë model frymëzimi. Andaj, çdokush prej nesh duhet të jetë solidar në kontributin për qytetin dhe vendin tonë. Patriotizmi i gjithësecilit prej nesh lexohet në sjelljen qytetare, në vullnetin për të bashkëpunuar për interesin e përgjithshëm, në vendimmarjen e qytetit.Sakrifica për vendin tënd, nuk është një klishe, por është detyrë dhe mison që na bashkëshoqëron në jetën komunitare. Në kohët e paqta që jetojmë sakrificë do të thotë vizion, administrim, drejtësi, politika të drejta. Sakrificë do të thotë përkushtim i të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë politike, për të kontribuar në progresin e shtetit të së drejtës, në përshpejtimin e anëtarësimit të vendit në familjen e madhe të Europës moderne.
Rruga e zhvillimit dhe modernizmit të qytetit të Tiranës është shtruar. Askush nuk mund ta mohojë se administrimi aktual dhe politikat e qeverisjes lokale e kanë shndërruar Tiranën në kryeqendër europiane, status ky i çertifikuar edhe me besimin e vetë europianëve me titujt, kryeqytet evrooian i rinisë, qytet europian i sportit, qendër dominante e turizmit europian, e besoj shumë shpejt, me meritë kryeqendër e teknologiisë. Doemos jemi të vetdijshëm që e zhvillimi s’ka fund, porse as nuk mund të mohohet se jemi në rrugë të mbarë. Për mos të harruar amanetin e dëshmorëve, nuk duhet të rreshtim të punojmë për një Shqipëri më të mirë, që gjeneratat pasardhëse të jenë mirënjohëse për arritjet dhe vendimmarrjet e duhura. Le të investohemi të gjithë drejt progresit e zhvillimit, të kontribuojmë në shërbim të së mirës së përbashkët! Gëzuar të gjithëve ditën e çlirimit të Tiranës sonë, të Tiranës së të gjithëve, Tiranës europiane, Tiranës së projekteve të mëdha dhe punëve të mira!”