Tirana ka përkujtuar sot 103-vjetorin e Pavarësisë. Në këtë ditë të shënuar kryeqyteti mori si dhuratë restaurimin e Monumentit të Pavarësisë, i cili tre muaj më parë u mor në përkujdesje nga bashkia e Tiranës për shkak të vandalizimeve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë dhe kryetari i Këshillit Bashkiak, z.Aldrin Dalipi, Prefekti i Tiranës, z.Sadi Vorpsi së bashku me familjarët e firmëtarëve të Deklaratës së shpalljes të Pavarësisë të kryeqytetit, vizituan sot monumentin e restauruar, si dhe uruan për Pavarësinë të gjithë qytetarët e Tiranës.
Bashkia e Tiranës ka nisur rehabilitimin e të gjitha monumenteve dhe lapidarëve në kuadër të festave të 28-29 nëntorit. “Kemi nisur një proces, jo vetëm për Monumentin e Pavarësisë, por edhe për të riparuar Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, si dhe të të gjitha institucioneve që kujtojnë festën e Pavarësisë dhe Çlirimit. Një qytet i mirë është një qytet me kujtesë dhe sot ne po sillemi si qyteti i mirë që i kujton të parët e vet, themeluesit e Tiranës, ata që shpallën Pavarësinë, si dhe ata që luftuan për çlirimin e vendit”, deklaroi Veliaj.
Kreu i Këshillit të Qarkut Tiranë njëherazi dhe kreu i Këshilli Bashkiak, z.Aldrin Dalipi u shpreh në rrjetet sociale se kjo është një ditë e veçantë për qytetin e Tiranës. “Mirënjohje për të gjithë ata burra që bënë të mundur valëvitjen e flamurit kuqezi në kryeqendrën e vendit 103 vite më parë, duke nderuar qytetarët e djeshëm dhe të sotshëm”, u shpreh zoti Dalipi.
Krahas rehabilitimit të monumenteve dhe lapidarëve në të gjithë qytetin, Tirana do të organizojë disa aktivitete në kuadër të festave kombëtare të nëntorit. Në datën 28 do të jetë ceremonia e ngritjes së flamurit në sheshin ‘Skënderbej’, e më pas aktivitetet do të vijojnë në parkun e Dajtit me aktivitete sportive.