Të gjithë ata që merren me bujqësi dhe blegtori në zonat rurale të Bashkisë së Tiranës, nga sot kanë një aleat më shumë për të shitur produktet e tyre. Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi krijimin e shoqërisë së re “Tirana Agrikulturë”, e cila synon përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve të zonave rurale përmes nxitjes së ekonomive familjare me orientim kryesisht bujqësor dhe blegtoral, të ndërthurur me agroturizëm dhe ekoturizëm.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi se nëpërmjet kësaj shoqërie ndihmohet nxitja e prodhimit dhe shitjes së produkteve të agrikulturës, përmes ndërmjetësimit për lidhjen e kontratave ndërmjet personave fizik apo juridik, publik, shtetëror e privat vendas e të huaj, si dhe organizimit të panaireve, ekspozitave dhe promovimin e prodhimeve lokale.
“Krijimi i shoqërisë “Tirana Agrikulturë” do të sjellë disa të mira: së pari, kemi pasur një debat mbi monopolin e shitjes së ushqimeve bujqësore me shumicë në Tiranë. Ky monopol duhet thyer, siç bëmë me monopolin e pastrimit, duke e kthyer në një kompani publike; sot, kjo kompani publike do të krijojë qendra të lira të shitjes me shumicë. Pra, duam ta kthejmë në një agregator biznesi, bujqësor, përveç se një qendër të shitjes me shumicë. Ky është një lajm i mirë për gjithë Tiranën bujqësore, e cila deri dje detyrohej të shkonte në një vend të përcaktuar nga qeveritë e kaluara. Hapi i parë është krijimi i një kompanie publike, që do të menaxhojë tregjet me shumicë të fruta-perimeve në Tiranë, dhe pastaj më tej, të hyjë edhe në programe të bujqësisë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku u ndal edhe te një sërë investimesh madhore që kanë nisur në Tiranë, duke filluar me dyfishimin e kapacitetit përpunues të ujit të pijshëm dhe shtrirjen e linjave të transmetimit edhe në zonat periferike. Ai theksoi se përpara 4 vitesh, Tirana furnizohej vetëm me 7 orë ujë të pijshëm dhe sot falë investimeve dhe mirëmenaxhimit të UKT-së, qytetarët kanë një furnizim mesatarisht me 14 orë ujë në ditë. Por, ambicia e Bashkisë së Tiranës është që brenda 4 viteve të mandatit të ardhshëm të arrihet që kryeqyteti të ketë një furnizim të pandërprerë me ujë.
“Sapo ka filluar puna nga liqeni i madh i Bovillës në mal deri në impiantin e Bovillës, ku filtrojmë ujin, që në fakt kanë të njëjtin emër, por me 10 km distancë. Ka filluar për herë të parë pas 50 vitesh, dyfishimi i ujit që marrim nga liqeni dhe e çojmë në impiant. Duke qenë se edhe impianti vetë po dyfishohet për filtrimin, na duhet të dyfishojmë prurjet. Duket sikur 4 vjet ishin para 400 vjetësh, por dua t’ju kujtoj se e morëm Tiranën me 7 orë ujë në ditë, e kemi me 14 orë, dhe duam, siç kemi premtuar nga 1 janari kur filluam investimet madhore pasi BERZH-i na besoi kredinë e ujit, që deri në fund të mandatit tjetër të kemi shkuar nga 14 në 24 orë ujë. Kështu, do të ndihemi të gjithë krenarë që ishim pjesë e një transformimi jetësor për Tiranën”, tha Veliaj.
Gjithashtu, ai bëri të ditur se krahas investimeve për dyfishimin e kapacitetit të Bovillës dhe filtrimit të ujit, po punohet paralelisht edhe me shtrirjen e një linje të re transmetimi deri në zonat më periferike të qytetit. “Kemi filluar investimin që çon ujin direkt nga Bovilla në zonën e Astirit, Yzberishtit, Yershekut dhe Kasharit. Përfitojnë gjithashtu Kombinati, “Misto Mame”, Kodër Kamza dhe Njësia 11. Janë zona, të cilat vitet e fundit janë stërurbanizuar falë lëvizjeve të mëdha demografike, dhe më vjen mirë që po ecim paralelisht edhe me filtrimin, por edhe me shpërndarjen kapilare sidomos në zonat që e kanë vuajtur më shumë”, theksoi Veliaj.
Kryebashkiaku bëri të ditur se një tjetër investim simbol i mandatit tjetër është rikonstruksioni i Piramidës dhe kthimi i saj në qendrën më të madhe të inovacionit dhe teknologjisë në rajon, ku mijëra të rinj do të kenë mundësi të mësojnë kodim dhe robotikë. “Një nga stolitë e mandatit tonë të ardhshëm do të jetë padyshim Qendra TUMO në Piramidën e Tiranës, ku tashmë janë bërë bashkë jo vetëm operatorët që do të japin mësim për 5 mijë fëmijë çdo muaj në kurset kompjuterike të dizajnit, të kodimit, të realitetit virtual, të argumentuar, të robotikës, të mekatronikës, por gjithashtu dhe shumë kompani private, që tashmë do të binjakëzohen me qendrën, që shumë prej të rinjve tanë të kenë mundësi pastaj edhe të punësohen menjëherë më pas”, u shpreh Veliaj.
Kryetari i Bashkisë u ndal edhe te puna për plotësimin e pjesës së Paktit për Universitetin. Ai tha se shumica e godinave në Qytetin Studenti janë në përfundim të rikonstruksionit dhe menjëherë pas tyre, puna do të zhvendoset edhe në godinat e konvikteve të Universitetit Bujqësor. Veliaj theksoi se ajo që do t’i vërë vulën mandatit të ardhshëm do të jetë Kampusi Universitar.
Këshilli Bashkiak votoi disa vendime të tjera të rëndësishme siç është ai për ta shndërruar shtëpinë e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare në një muze. “I shërben tërheqjes të sa më shumë turistëve dhe zgjatjes së qëndrimit të tyre. Kadare është produkti më i njohur “Made in Albania”. Krijohet një stacion tjetër në Tiranë, jo vetëm Sheshi, Liqeni, Pazairi i Ri, Kalaja, galeria, por edhe Shtëpia Kadare. Më vjen shumë mirë që disa ditë më pas do kemi mundësi ta hapim”, tha Veliaj. Muzeu do të prezantojë për publikun vendas e të huaj një pjesë të historisë dhe kulturës materiale dhe shpirtërore të periudhës totalitare, përmes pasqyrimit të mënyrës së jetesës së shkrimtarit.
Në mbledhjen e sotme, Këshilli Bashkiak miratoi vendimin “Për Programin “Fondi i Komuniteteve” nga i cili do përfitojnë 31 pallate që kanë aplikuar për të bërë termoizolimin. “Banorët kanë zgjedhur administratorët dhe mirëmbajnë pallatin e tyre; kanë aplikuar në fondin tonë për të bërë investime dhe jemi në një marrëveshje 50 me 50, pra gjysmën e vë Bashkia, gjysmën e vetë banorët me administratorin. Kemi parë që aty ku banorët përfshihen vetë, edhe mirëmbahet më mirë. Më vjen mirë që ky projekt po shpërblen dhe 31 pallate të reja. Besoj që do jemi bashkë për të parë impaktin”, tha Veliaj.
Këshilli Bashkiak miratoi edhe tre vendime me rëndësi të veçantë sa i përket punësimit të të rinjve në Bashkinë e Tiranës, ashtu edhe për nxitjen e hapjeve të bizneseve të reja nga gratë. Nëse je një i ri që ke mbaruar studimet e larta dhe ke pasion dhe vullnet që të punosh me ekipin e Bashkisë së Tiranës për të kontribuar në mbarëvajtjen e punëve në kryeqytet, atëherë një mundësi fantastike të ofrohet për të bërë fillimisht praktikën pranë një prej drejtorive të Bashkisë së Tiranës, si dhe të punësohesh më pas me kontratë të përkohshme. Pas hapjes së thirrjes 20 të rinj dhe të reja do mund të zhvillojnë praktikën në Bashkinë e Tiranës me mundësinë që më pas edhe të punësohen me kontrata të përkohshme.
Jo vetëm kaq, por një tjetër mundësi fantastike do i ofrohet edhe të gjithë atyre të rinjve të talentuar që kanë një ide që duan ta vënë në jetë. Këshilli Bashkiak miratoi vendimin për miratimin e projektit “Fillo me një ide – Fito një intership në Bashkinë Tiranë”. Në bazë të këtij vendimi, 20 të rinj dhe të reja nën moshën 28 vjeç, ekselentë, me nivel arsimimi Bachelor, Master Profesional ose Master Shkencor, mund të vënë në jetë idetë e tyre falë mbështetjes së Bashkisë së Tiranës. Qëllimi i Thirrjes është që të rinj në fillim të karrierës së tyre profesionale, të fitojnë një eksperiencë pune, duke u ofruar mundësinë për të zhvilluar aftësitë e tyre analitike dhe kërkimore dhe teknike përmes konkurrimit me një projekt-ide ose studim në një nga fushat e veprimtarisë së Bashkisë së Tiranës.