Në Ditën Botërore të Kryqit të Kuq, pranë Piramidës në Tiranë, u zhvillua një aktivitet vlerësues për vullnetarët, profesionistët dhe punonjësit humanitarë që çdo ditë kontribuojnë në përballimin e situatave të vështira dhe në mbështetjen e qytetarëve në nevojë.
Në emër të Këshillit të Qarkut Tiranë, u shpreh mirënjohje për angazhimin dhe përkushtimin e tyre, duke theksuar rolin e pazëvendësueshëm që Kryqi i Kuq luan në komunitet.
Rajoni i Tiranës numëron një numër të konsiderueshëm anëtarësh të regjistruar në Kryqin e Kuq, i cili është kthyer në një strukturë të rëndësishme të përgjigjes ndaj emergjencave dhe situatave humanitare. Përveç reagimit të menjëhershëm në rastet e emergjencave civile, organizata është aktive edhe në fushën e parandalimit, edukimit dhe trajnimit, veçanërisht të të rinjve.
Me një model të konsoliduar organizimi dhe vullnetarizmi, Kryqi i Kuq mbetet një shembull i efikasitetit dhe solidaritetit, duke bërë shpeshherë ndryshimin në momentet më të vështira për qytetarët.
Këshilli i Qarkut Tiranë shpreh falënderimet dhe vlerësimin më të sinqertë për të gjithë ata që, me humanizëm dhe përkushtim, janë çdo ditë në shërbim të jetës dhe komunitetit.





