Qarku Tirane

Zhvillohet mbledhja e Komitetit Drejtues të Programit për Zhvillimin Rajonal të Shqipërisë

Published at : 30/03/2019 - 16:22

Ditën e Premte, datë 29 Mars 2019 u mblodh Komiteti Drejtues i Programit për Zhvillimin Rajonal të Shqipërisë ku mori pjesë dhe Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë znj. Elidiana Canaj në rolin e vëzhgueses.

Projekti është bashkë-financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC); nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), dhe zbatuar në partneritet me Qeverinë Shqiptare.

Komiteti Drejtues u kryesua nga znj. Debora Kern Shefe e Sektorit të Qeverisjes dhe Shendetit në Ambasadën e Zvicrës si dhe znj. Ivis Noçka Koordinatore e Zyrës së Menaxhimit të Sekretarit të Përgjithshëm, Zyra e Kryeministrit. Komiteti drejtues i PZHRSH solli sëbashku aktorët kryesorë të Programit, duke qenë një mundësi për të diskutuar dhe reflektuar rreth rezultateve të Fazës III dhe objektivave të Fazës IV të Programit.

Gjatë këtij takimi, u diskutuan ide dhe qasje mbi rëformën e Zhvillimit Rajonal duke theksuar edhe një herë se kjo reformë vazhdon të jetë një prioritet i Qeverisë Shqiptare dhe asistenca teknike në këtë fushë mbetet e një rëndësie të vecantë, parë kjo jo vetëm në nivel kombëtar por edhe në këndvështrimin e proceseve që lidhen me integrimin europian. Qëllimi kryesor i Programit të PZhRSh-së është të zvogëlojë pabarazitë në Shqipëri duke mbështetur zhvillimin e rajoneve të forta, që ato të mund të përparojnë me potencialet e tyre dhe të ofrojnë kushteve më të mira sociale dhe ekonomike për qytetarët.

Qeveria Shqiptare e ka njohur si një prioritet Zhvillimin Rajonal dhe ka ndërmarrë një sërë masash për të investuar konsiderueshëm në këtë proces si në nivel kombëtar edhe rajonal që të arrijë objektivin e përgjithshëm të qeverisë shqiptare sa i përket Zhvillimit Rajonal: rritjen e konkurrueshmërisë ndërmjet rajoneve, duke siguruar një zhvillim të qëndrueshëm social-ekonomik të komuniteteve dhe të krijojë një ekonomi konkurruese e dinamike.

Në këtë kontekst, Programi gjithashtu synon të rrisë kohezionin rajonal, të reduktojë pabarazitë në përdorimin e burimeve, rrisë produktivitetin dhe standardet sociale/mjedisore. Kjo do të shtonte efikasitetin e menaxhimit dhe do të krijojë një shoqëri më përfshirëse, me aftësi më të larta dhe vende punë më të mira si për gratë edhe për burrat.

Programi është një vazhdim i Programit për Zhvillimin Rajonal në Shqipërinë e Veriut, i cili parashtroi dimensione të reja në diskutimet për ZhR; duke ofruar një metodologji për ngritjen e mekanizmave të koordinimit për ZhR brenda strukturës ekzistuese të qeverisë dhe një qasje për lidhur strategjitë ndër-rajonale me zbatimin praktik të projekteve duke lejuar formulimin e strategjive të zhvillimit në bazë të zonave.