Qarku Tirane

"Vlerësimi për gruan është themeli i ndërtimit të shoqërisë"

Published at : 08/03/2016 - 18:43

Kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak, zoti Aldrin Dalipi së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, zoti Erion Veliaj kanë zgjedhur që urimin për 8 Marsin, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ta përcjellin nga qendra sociale e shërbimit ditor në Kombinat.

Zoti i numëron lotët e grave se e kuptojnë botën më mirë se burrat. Respekt pa fund për ato që e bëjnë këtë botë paqësore e të bukur”, u shpreh zoti Dalipi me rastin Ditës Ndërkombëtare të Grave.

Në fjalën e rastit kryetari i bashkisë, zoti Veliaj tha se çdo burrë duhet të kuptojë rëndësinë dhe kontributin që jep çdo grua në jetën e përditshme, jo vetëm në angazhimet familjare, por edhe në jetën shoqërore të vendit.

“Nëse në punët tona, qofshin këto në bashki, qofshin në qeveri, në njësi apo në këtë qendër sociale, nuk përfshijmë gratë, gjithçka do të jetë si një makinë që ecën me gjysmë shpejtësie ose si një ekip që luan me gjysmën e skuadrës. Ndaj, dua të falënderoj të gjithë ata që nuk e morën ditën pushim me familjet e tyre, por erdhën e shërbyen këtu”, theksoi Veliaj.

Duke iu referuar pikërisht punës që bëhet në këtë qendër sociale, kreu i Bashkisë ka siguruar se modeli i saj do të zbatohet edhe në qendra të tjera, ku bashkia do t’u vijë në ndihmë të pamundurve.

“Ne kemi 1007 gra që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe me asistencë nga bashkia. Shumë shpejt ne do të fillojmë edhe me paketën ushqimore për gratë dhe për vajzat në nevojë. Unë besoj se bashkia e Tiranës ndoshta nuk i kënaq dot të gjithë, por të paktën ata që janë më nevojtarë, që janë në vështirësi më të mëdha ekonomike, që kanë probleme më të rënda sociale, bashkia e Tiranës do t’u jetë krah”, u shpreh Veliaj, ndërsa ka siguruar të gjitha gratë që u bënë pjesë e kësaj dreke se ai nuk do dorëzohet për asnjë nga punët që Bashkia e Tiranës ka nisur e do të mbajë çdo premtim të dhënë.