Qarku Tirane

Vlerësimi i dëmeve të tërmetit, Shoqata e Qarqeve: Procesi me korrektësi maksimale

Published at : 27/09/2019 - 21:00

Shoqata e Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë ka zhvilluar dje mbledhjen e parë pas zgjedhjeve të 30 qershorit. SHKQSH drejtohet nga Aldrin Dalipi, kryetar i Qarkut Tiranë.

Shoqata vlerësoi se tashmë institucioni i Këshillit të Qarkut ka rol të rëndësishëm në vlerësimin e dëmeve të banesave nga tërmeti i disa ditëve më parë.

Dalipi vuri theksin se të tre qarqet e prekura nga tërmeti, Tirana, Durrësi dhe Elbasani duhet të bashkëpunojnë ngushtë me bashkitë dhe institucionet e tjera për të pasur një proces sa më korrekt të vlerësimit të dëmeve.

Në takim u falënderuan rajonet europiane që u solidarizuan me Shqipërinë pas tërmetit, ndërsa u theksua se Shoqata do intensifikojë kontaktet me qarqet dhe rajonet e Europës për ndihmë në mjete dhe pajisje për raste të emergjencave civile pasi shumë njësi të qeverisjes vendore i kanë të nevojshme.

Shoqata zgjodhi dhe nënkryetarët e saj, të cilët janë Eduard Ndreca, kryetar i Qarkut Lezhë, Ana Verushi, kryetare e Qarkut Korçë dhe Lindita Rova, kryetare e Qarkut Gjirokastër.