Qarku Tirane

Vizito Tiranën / Peza, një fshat mes gjelbërimit, historisë dhe qetësisë

Published at : 26/05/2018 - 10:50

Peza, një zonë mjaft e bukur dhe me shumë mundësi argëtimi, është njësi administrative e Bashkisë së Tiranës dhe gjendet pak kilometra nga qendra e kryeqytetit.

Pasi largohesh nga Tirana dhe sapo hyn në rrugën e Pezës syri të zë kodra dhe fusha të mrekullueshme dhe kafshë të fermave.

Qetësia dhe aroma e luleve është impakti i parë me të cilin përballesh, duke ndjerë oksigjenin që të mbush mushkëritë.

Peza është një fshat piktoresk, plot gjelbërim dhe histori. Në sheshin e madh që ka përmasat e një parku gjigant ndodhet edhe shtëpia e vjetër e Myslim Pezës, patriotit që ishte një ndër organizatorët e të famshmes Konferenca e Pezës.

Lapidari që dëshmon për konferencën e mbajtur në vitin 1942 ndodhet aty; me shkronja të gdhendura që rrëfejnë në pak rreshta historinë. Ndërsa shtëpia e vjetër e Myslim Pezës i jep këtij fshati një rëndësi historike dhe turistike njëkohësisht, pasi kushdo që vjen për herë të parë, i viziton me radhë lapidarët dhe monumentet historike duke bërë edhe foto si kujtim.

Në varrezat e Dëshmorëve të Pezës prehen 145 dëshmorë të rënë gjatë luftës Nacional-Çlirimtare të fshatrave përreth. Monumenti “Lavdi dëshmorëve të Pezës heroike” është realizuar në vitin 1977.

Në Pezë, në një territor shumë të vogël mund të gjesh: Kështjella antike, monumente historike, arkitekturë tradicionale, monumente natyrore, lloje të rralla të florës dhe faunës, liqene, peizazhe tipik rurale, ferma bujqësore e blegtorale dhe rraca të rralla të blegtorisë.

Banorët e Pezës shquhen për traditat dhe vlerat e karakterit të tyre: njerëz shumë bujarë dhe mikpritës. Banorët, janë ata që më së shumti janë munduar që në vite të tërheqin drejt zonës turistë, për të cilët thonë se Peza nuk ofron vetëm histori.

Ata shtojnë se fundjava shënon numrin më të madh të turistëve, që vijnë nga Tirana e qytete të tjera, por edhe nga vende të ndryshme. Një tjetër atraksion për zhvillimin e turizmit në këtë zonë është edhe peshkimi, ku shumë të pasionuar pas peshkimit kanë mundësi të gjuajnë peshk në dy rezervuarët e zonës, në të cilët kultivohen lloje të ndryshme peshqish.

Një kafe në... Pezë

Fakti që është shumë afër me kryeqytetin e bënë Pezën një destinacion ideal për të shkuar për një kafe apo drekë në fundjavë.

Peza ka një fushë të madhe që shpesh popullohet gjatë festave për piknike familjare. Peza njihet dhe për ushqimin shumë të freskët direkt nga ferma në tryezë. Vizitorët mund të luajnë futboll apo lojëra të tjera, ndërsa fëmijët mund të ngrenë balonat e tyre.

Është një vend fantastik për udhëtime familjare.

Eventi më i rëndësishëm në Pezë është "Peza n' fest" përvjetori I Krijimit të Frontit të Luftës Nacional Çlirimtare në 16 shtator 1942 në konferencën e Pezës.

Çdo vit në këtë datë mblidhen të rinj, këndojnë këngë partizane, ndezin zjarre dhe kujtojnë kohën e luftës.

Është me të vërtet argëtuese sidomos për të rinjtë që kalojnë gjithë natën jashtë duke kënduar dhe kërcyer.

Liqeni i Fjollës

Liqeni i Fjollës është një nga pikat më të dashura për banorët e zonës. Ky liqen është mjaft i bukur dhe i pastër, ndaj, nëse zgjidhni të shkoni në Pezë duhet të shihni patjetër edhe atë. Ujërat e thellë e të pastër të Liqenit të Fjollës, prej 14 hektarësh janë padyshim një destinacion që ia vlejnë lodhjen dhe që përbëjnë një peizazh të bukur për ata që pëlqejnë shkrepjet e fotografive.

Historia

Duke u ndalur tek historia, detaji që e bëri të njohur Pezën për të gjithë, në qendër të fshatit është edhe muzeumi i rikonstruktuar viteve të fundit, aty ku gjen një mori dokumentesh dhe fotografish të cilat flasin për historinë e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.

Në këtë fshat është mbajtur konferenca e parë Nacional Çlirimtare në Europë, që u mbajt në 16 shtator 1942, çka përbën edhe kuriozitetin më të madh të turistëve.

Ky muze qëndron i hapur gjatë gjithë kohës dhe ofron fakte historike që janë ruajtur ndër dekada, edhe në arkiva të ndryshme brenda e jashtë vendit.

P.S: Por Peza nuk është e vetmja zonë e Tiranës ku mund të kalosh fundjavën, për shëtitje apo piknik, Dajti po ashtu, Kalaja e Prezës, Farka, Petrela, apo Parku i Liqenit Artificial, mbledhin çdo fundjavë dhjetra njerëz të cilët shijojnë natyrën dhe kohën e bukur që të fal pranvera.