Qarku Tirane

Vendimet e KB të Tiranës, paga më të larta për edukatoret, ndihmë për përballimin e fatkeqësive dhe ambicia për 1 milion turistë këtë vit

Published at : 11/06/2018 - 16:35

Pas vlerësimit që bëri Komisioni i Ekspertëve pranë Këshillit të Qarkut Tiranë, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi vendimin për dhënien e ndihmës financiare për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësi të ndryshme, për disa familje që banojnë në territorin administrativ të Bashkisë së Tiranës dhe nëpërmjet të cilit përfitojnë më shumë se 30 familje.

Sipas këtij vendimi, në pjesën më të madhe të rasteve bëhet fjalë për familje të cilat nuk i kanë mundësitë ekonomike e financiare për ta përballuar të vetme fatkeqësinë që i ka goditur. Që do të thotë se përveç detyrimit ligjor për t’i ndihmuar, ky vendim ka edhe një dimension të fortë social.

Po ashtu këshilltarët bashkiakë nën drejtimin e kryetarit, Aldrin Dalipi morën vendimin që nga ky muaj, pagat e edukatoreve të çerdheve dhe kopshteve të Tiranës të jenë më të larta.

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi propozimin e Bashkisë së Tiranës për rritjen e pagës për të gjitha edukatoret, duke u dhënë një vlerësim për punën e jashtëzakonshme që po bëjnë për fëmijët e Tiranës.

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se çerdhet e kopshtet e Tiranës ofrojnë kushte shumë më të mira, jo vetëm krahasuar me situatën para 2015-s, por edhe me pjesën dërrmuese të kopshteve e çerdheve private.

Në fjalën e tij para këshilltarëve bashkiakë, Veliaj foli edhe për një sërë projektesh dhe punë të suksesshme të kryera nga Bashkia e Tiranës gjatë muajve të fundit. Ai theksoi se tani që po mbushen 3 vjen nga marrja e detyrës së kryebashkiak, Bashkia e Tiranës ka plot punë me të cilat mund të krenohet.

Ai e cilësoi si një nga lajmet më të mira për Tiranën dhe qytetarët e saj, ardhjen në kryeqytet të 4 mijë biçikletave.
“Qyteti do të fillojë të transformohet duke filluar nga nesër. Nesër do të kemi një lançim të madh të 4 mijë biçikletave për qytetin e Tiranës. Siç e keni parë, ka filluar pilotimi i disa qindra të parave dhe nesër do të shohim një mënyrë të re mobiliteti, ku mjafton përdorimi i celularit për ta futur Tiranën në listën e qyteteve pararendëse sot në çështjen e përdorimit të biçikletës”, shtoi Veliaj.

Një tjetër lajm i mirë që vjen si pasojë e përpjekjeve inovative të Bashkisë së Tiranës është edhe sistemi “E-kiosk”. “Më vjen mirë që pjesë e këtij transformimi janë edhe shërbimet e Bashkisë së Tiranës me kioskat elektronike, që i ngjajnë me ATM e bankave, ku mjafton të futësh kartën e identitetit për të marrë rreth 47 shërbime. Jemi ende në ditët e para, por mijëra qytetarë i kanë përdorur duke ulur trysninë në sportelet e bashkisë. Jo vetëm shkurtojnë kohën, por ulin edhe korrupsionin”, u Veliaj.

Ai theksoi se falë investimeve, por edhe promovimit, në Tiranë është rritur numri i turistëve që kanë vizituar kryeqytetin. “Vetëm në 4-mujorin e parë kemi pasur 300 mijë turistë në Tiranë, pra ende pa filluar stina e verës. Ambicia jonë është që Tirana të kapë 1 milion këtë vit. Pra, të kemi aq turistë sa kemi edhe banorë”, tha Veliaj.

Gjithashtu, kryebashkiaku vlerësoi si një sukses të jashtëzakonshëm për jetën kulturore dhe artistike në Tiranë edhe dy koncertet e këngëtarëve Rita Ora dhe Ermal Meta, ndërsa deklaroi se Bashkia e Tiranës nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë nga buxheti i saj për t’i sjellë në Tiranë. “Qershia mbi tortë ishin Rita Ora dhe Ermal Meta, dy histori suksesi shqiptare. Por, për një nga gjërat që më erdhi shumë keq është se pati një minorancë që mundohet të bëjë telendarin sa herë që ndodh diçka e bukur. A ka mundësi që disa gjëra të bukura t’i lëmë të ndodhin dhe t’i vlerësojmë? Nëse nuk duam të falenderojmë bashkinë, mjafton të mos themi gjë sepse disa gjëra thjesht nuk duhen sulmuar me dëshirën për të helmuar gjithçka që prodhon një të mirë. Bashkia e Tiranës ka harxhuar 0 lekë për dy koncertet”, u shpreh Veliaj.

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi edhe vendimin për ngritjen e Këshillit Artistiko-Kulturor i Tiranës. Në bazë të këtij vendimi, ky këshill ka karakter këshillimor dhe vepron pranë Bashkisë së Tiranës për shqyrtimin, vlerësimin dhe miratimin e projekteve kulturore dhe sportive, që ato të jenë në përputhje me prioritetet e politikave kulturore të Bashkisë Tiranë. Në përbërjen e Këshillit Artistiko-Kulturor i Tiranës ka personalitete të spikatura nga fusha të ndryshme të artit, kulturës, sportit dhe të shkencës. Bien në sy mes 9 anëtarëve të këtij këshilli emra si Artisti i Popullit, Robert Ndrenika, aktorja Yllka Mujo, trajneri i sportit të futbollit, Ylli Tomorri apo edhe piktori Helidon Haliti.

Një tjetër vendim i rëndësishëm që u miratua në mbledhje ishte edhe ai për “Për financimin në formën e huasë dhe nënshkrimin e marrëveshjes përkatëse midis Bashkisë së Tiranës dhe klubit të futbollit “Tirana” sha, për një vlerësim të plotë të situatës financiare, fiskale dhe asaj ligjore”. Nëpërmjet këtij vendimi synohet bërja e një pasqyre të plotë të situatës financiare dhe aseteve të klubit të futbollit Tirana me qëllim dhënien e një zgjidhje përfundimtare të situatës me këtë ekip.

Këshilli Bashkiak miratoi edhe vendimin për miratimin e planit të veprimit për barazinë gjinore në Bashkinë Tiranë; vendimin “Për një ndryshim në vendimin nr.89, datë 6.07.2017 të Këshillit Bashkiak “Për miratimin e memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Fondacionit Shqiptaro- Amerikan për Zhvillim, Ministrisë së Zhvillimit Urban, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë Tiranë “Për projektin e krijimit të zonës TID në Pazarin e Ri; vendimin “Për miratimin e planit të veprimit “Tirana Green City Action Plan (GCAP)- për Bashkinë Tiranë”; vendimin “Për miratimin e përfundimit të procedurave të privatizimit të banesave, të cilat kanë mbetur pa u regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për lidhjen e kontratave para noterit”.

Po ashtu në këtë mbledhje u miratuan edhe disa vendime me karakter ekonomik si: vendimi “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.59, datë 30.12.2015 të Këshillit Bashkiak “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”, të ndryshuar; vendimi “Për miratimin e treguesve të realizimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2017”; vendimi “Për miratimin e treguesve ekonomikë dhe financiarë të Bashkisë së Tiranës dhe tavaneve përgatitore të programit buxhetor afatmesëm për periudhën 2019-2020” apo edhe vendimi “Për disa ndryshime në vendimin nr.132, datë 21.12.2017 të Këshillit Bashkiak “Për miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2018-2020 dhe detajimin e buxhetit të bashkisë së Tiranës për vitin 2018 (i ndryshuar)”.

Në mbledhje Këshilli Bashkiak miratoi një sërë projektvendimesh të tjera të rëndësishme, sikurse është ai “Për trajtimin me bonus strehimi të disa familjeve në nevojë, të cilat nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë”. Ndërkohë, Këshilli dha pëlqimin për vendosjen e instalacionit “Lokomotiva me Avull” në Bulevardin e Ri, aty ku dikur ka qenë ish- stacioni i trenit, si dhe vendimin “Për vendosjen e skulpturës së titulluar “Çufo dhe Bubi Kaçurrel” në lulishten karshi Presidencës.