Qarku Tirane

Unioni i Bashkive dhe Komunave Shqiptare mblidhet në Prishtinë, axhendë konkrete bashkëpunimi

Published at : 20/02/2018 - 00:35

Kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi mori pjesë në takimin e Unionit të Bashkive Shqiptare që u mbajt në Prishtinë më 17 shkurt 2018 që përkoi dhe me 10-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Tirana po kthehet gjithnjë e më shumë në një qendër rajonale. Në takimin e dytë të Unionit të Bashkive Shqiptare, pas atij në Tiranë, delegacionet nga Tirana, Presheva, Ulqini, Tetova, Gostivari, Prizreni dhe Fieri vendosën ngritjen e Sekretariatit teknik dhe vendosjen e selisë qendrore në kryeqytetin tonë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, siguroi se Unioni i Bashkive Shqiptare do të ketë të gjithë mbështetjen e nevojshme për të ecur më tej në projekte konkrete të përbashkëta. Ai theksoi se Unioni, ku marrin pjesë bashki dhe komuna shqiptare të rajonit, është një urë bashkëpunimi mes tyre, për të shkëmbyer eksperienca konkrete mes qyteteve.

Kryetari i Qarkut Tiranë Aldrin Dalipi u shpreh se Unioni ka nisur me një axhendë konkrete për një mjedis më të pastër, korsi të dedikuara për biçikleta, gjelbërim, nxitje mjeteve elektrike, etj.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti deklaroi se Unioni është një mundësi shumë e mirë e shkëmbimit të përvojave e projekteve të suksesshme dhe se tashmë është koha e bashkëpunimit.

Unioni i Bashkive Shqiptare ka për qëllim të krijojë klimën dhe mekanizmat e duhura të bashkëpunimit mes qyteteve shqiptare në rajon, ndërkohë që u krijon mundësi bashkive të rrisin shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës në fushat e urbanistikës, inovacionit, mjedisit, kulturës dhe formave të reja të financimit.

Në bazë të marrëveshjes së firmosur në takimin e parë të zhvilluar në Tiranë, bashkitë angazhohen për të bashkëpunuar për thithjen e fondeve, të projekteve rajonale dhe ndërkufitare, ndonjëherë dhe duke aplikuar bashkë, aty ku mund të aplikohet, si dhe mbështetja e njëri-tjetrit me masa, asete, ekspertizë dhe personel në rast të emergjencave civile.

Mbledhja e radhës e këtij Unioni do të jetë në Tetovë në muajin tetor.