Qarku Tirane

Turizmi, promovimi dhe njohja e tij, mbledh të rinjtë e Golemit rreth…..fluturimit

Published at : 07/10/2019 - 10:54

Vendi ynë ka bukuri natyrore të mahnitshme. Në përditshmërinë tonë të mbijetesës, harrojmë të shijojmë atë çfarë na ka falur natyra, e për me tepër të dimë ta servirim për të tjerët. Është e nevojshme që brezi i ri të edukohet me një frymë bashkëjetese në këtë ambient dhe gjetjen e mënyrës për ta afruar sa më shumë njerëz rreth vetes. Ky duhet të jetë dhe motivi që prej kohësh po përpiqet të kthehet në një mundësi që të rinjtë të njohin vendin e tyre.

Në këtë frymë nisja e muajit tetor shënoi një ditë të veçantë për qytetin e Kavajës. Mbi qiellin e saj u panë të fluturonin pilotët më të mirë të aeronautikës shqiptare. E sigurisht, kur shikon njerëz që fluturojnë, ndjesia që përjeton është frymëzuese, pasi ëndrra e çdo kujt është që të… fluturojë.

Por nuk ishte vetëm kaq. Parashutat që u ngritën kishin si destinacion Gjirokastrën, duke përcjellë mesazhe sensibilizimi për tërmetin që kaloi vendi ynë përpara ca ditësh, por edhe për të promovuar vlerat dhe bukuritë që ka vija jonë bregdetare.
Iniciativa mbante emrin Albania Coast Trip (Udhëtim në bregdetin e Shqipërisë).

Për herë të parë pilotë nga Europa si iniciativë e përbashkët e Këshillit të Qarkut Tiranë dhe Aeronautikës shqiptare zhvilluan fluturime për katër orë mbi qarkun e Tiranës, më pas në Fier dhe Vlorë për ta mbyllur në këtë fundjavë në Gjirokastër ku do të hapet aeroporti për këto lloj fluturimesh.

Ndalesa e parë e një dite të gjatë të mbushur me aktivitete ishte në shkollën e mesme, profesionale, “Charles Telford Erikson” në Golem.

Nxënësit patën mundësi të njihnin nga afër pilotët dhe morën prej tyre impresionet që të jep fluturimi.

Ndërsa kreu i Qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi u tregua entuziast për të iniciativë duke vënë theksin te turizmi dhe te potenciali i madh që ka vendi ynë. Ai bëri u bëri thirrje të pranishmeve që ta vlerësojnë këtë pasuri të çmuar që na ka dhënë natyra, duke marrë prej sa më të mirën e mundshme dhe duke i kthyer në të ardhura, për një jetesë më të mirë dhe për të përmirësuar cilësinë e shërbimit ndaj turistëve të shumtë që vizitojnë bregdetin e Golemit dhe të Kavajës.

“Faleminderit mësuesve dhe gjithë nxënësve që na mikëpritën. I inkurajuam të përpiqen më tej pasi kanë një pasuri të çmuar, turizmin ku mund të investojnë dijet e tyre në fushën e agrobiznesit, agrikulturës, ekonomisë në të ardhmen. Qarku i Tiranës me rritje ekonomike 8 për qind ka hapësira për dijet dhe kontributin e tyre. Ne do t’i mbështesim me iniciativat tona si institucion, por dhe ne bashkëpunim me projektet e Eurorajonit” -u shpreh Aldrin Dalipi në fjalën e mbajtur në oborrin e shkollës së mesme, profesionale, Golem.

Aktivitetin e hapi drejtoresha e shkollës së mesme “Charles Telford Erikson”, Matilda Çanaku e më pas drejtoresha e drejtorisë Arsimore Kavajë, Sonila Peza, ndërsa i pranishëm ishte edhe kryetari i Bashkisë së Kavajës, pjesë e Qarkut Tiranë, Redjan Krali.

Ky aktivitet shërbeu si një mesazh solidariteti për një situatë të vështirë që kaloi vendi ynë vetëm dy javë më parë, për shkak të tërmetit që përfshiu gjithë territorin, ku më shumë i rrezikuar ishte qarku i Tiranës për shkak të epiqendrës së goditjeve që ishin në detin Adriatik.

Por Kavaja shërbeu si një pistë ngritje për pilotët të cilët nuk ishin vetëm shqiptarë, e ndalesa e tyre përfundimtare ishte Gjirokastra.

Alket Islami dhe skuadra e tij sollën pamje të rralla të bregdetit shqiptar në zonën e Kavajës dhe Rrogozhinës. (Siç shihet nga fotot)

Islami në fjalën përshëndetëse të tij tha se kjo iniciativë është në vitin e nëntë të saj dhe ka qëllim të promovojë turizmin dhe jo vetëm nga bukuritë e saj që i ka falur natyra, por dhe ato kulturore.

Iniciativa të tilla kërkojnë mbështetje të vazhdueshme, që ato të mos mbeten vetëm promovuese, por të kthehen në një motor real për ekonominë dhe të ardhmen tonë. Një mënyrë për të mbajtur të rinjtë në vendin tonë dhe për t’ju thënë që më mirë se në tokën tonë nuk do mund të gjejnë askund.